Vendoset pllaka përkujtimore në shtëpinë e heroit Xhevat Berisha

10 tetor 2023 | 15:59

Ndër goditjet e para që regjimi serb i dha shqiptarëve të Kosovës në vitet e ’90-ta, ishte përpjekja për shkatërrimin e arsimit shqip, duke i dëbuar nxënësit e mësimdhënësit nga objektet e shkollave.

Në atë kohë, shumë shqiptarë ndërmorën aktin e rrezikshëm të shndërrimit të shtëpive në shkolla, të cilat më pas ishin edhe objekt i sulmeve serbe dhe mësimi u zhvillua në kushte shumë të vështira.

Sot, u vendos pllaka përkujtimore në shtëpinë e heroit të Kosovës, Xhevat Berisha, e cila shërbeu në kohërat më të vështira të kombit si shkollë, për ta ruajtur gjallë arsimin shqip.

Gjithashtu, pllakë u vendos në shtëpinë e familjes Fejzullahu në Lagjen e Trimave dhe në Xhaminë e Terxhuman Iskenderit (Dragomanit) në Lagjen Kurilla, që u shfrytëzuan për mësimin e nxënësve shqiptarë.

Mbi 200 pllaka përkujtimore Komuna e Prizrenit do t’i vendosë në shtëpitë që mundësuan realizimin e misionit më fisnik të popullit, arsimimin e tij.

“Me krenari sot kujtojmë këto shtëpi-shkolla, që edhe pse në kohëra okupuese dhe të vështira, prodhuan profesionistë të të gjitha fushave të cilët kontribuojnë në paqë në zhvillimin e shtetit tonë”, u shpreh kryetari Shaqir Totaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl…