‘Veraria ka rol kyç për ekonominë e Kosovës’

23 maj 2019 | 13:56

Prodhimi i verës ka një potencial të madh si sektor strategjik i cili mund t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kështu është thënë në tryezën “Verërat e Kosovës: kualitet për tregun e BE-së, standardet e BE-së, prodhimi dhe mundësitë e eksportit”, që është organizuar sot në Rahovec në verarinë “Biopak” nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se prodhimtaria e verës i kontribuon identitetit të një vendi, por edhe paraqet një kartë të vlefshme turizmi.

Apostolova ka deklaruar se do të financojnë sektorin e prodhimit të verës me një shumë prej 1 milion euro, me qëllimin që të ndihmohet reputacioni i regjioneve të caktuara.

“Projekti me ‘Biopak’ ka rritur cilësinë e verës dhe ka mundësuar punësim për njerëzit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte që nënkupton fermerët. Projektet me ‘Biopak’ kanë rritur cilësinë dhe standardet e prodhimit, kanë rritur konkurrueshmërinë, kanë rritur tregun dhe besimin e konsumatorëve në verën lokale dhe gjithsesi edhe rritje të eksportit. Për shumë vite BE-ja ka mbështetur sektorin e bujqësisë në Kosovë, që nga viti 2011 e deri më sot BE-ja ka investuar mbi 50 milionë euro në këtë sektorë, nga të cilat një shumë prej afërsisht 34 milionë euro janë ofruar drejtpërsëdrejti bizneseve bujqësore përmes skemave të granteve”, është shprehur Apostolova.

Ajo ka bërë me dije se BE-ja aktualisht është duke e bërë vlerësimin e thirrjes se re për projekte, e cila përfshinë një shumë prej 8.8 milionë euro.

Ajo ka thënë se shpreson se regjioni i Prizrenit dhe zona e Rahovecit do të ketë aplikime për këto fonde.

Më tuje, Apostolova ka thënë se falë MSA-së prodhimet bujqësore të Kosovës mund të eksportohen në një treg gjithandej në Evropë.

Apostolova ka thënë se BE-ja mundet dhe e mbështet Kosovën në pasjen e ligjeve adekuate që të ndihmojnë eksportin e prodhimeve.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert, ka sugjeruar që bizneset e verarisë të orientohen më shumë drejt ngritjes së cilësisë, pasi sipas tij do të ndikojë në të hyrat e tyre dhe të Kosovës.

“Veraritë e regjistruara në Kosovë ato të mëdha dhe ato të vogla, të gjitha janë të orientuara edhe kah eksporti. Vera është produkt i cili mund të eksportohet, është produkt i cili eksportohet në BE dhe mund t’i kontribuoj tregut të Kosovës jashtë vendit. Prodhimi i verës është jo vetëm një vlerë shtesë, por është edhe një prej mënyrave të zhvillimit të imazhit të shtetit jashtë vendit. Në mënyrë që të jemi më të suksesshëm duhet të orientojmë produktin drejtë cilësisë së shtuar. Vera e prodhuar në Kosovë eksportohet jashtë vendit me çmim të ulët në sasi të mëdha, ju duhet të gjeni një mënyrë se si t’i bëni vlerë shtesë produktit tuaj në mënyrë që të rritni të hyrat për ju dhe për Kosovën”, është shprehur Chaberti.

Në mënyrë që të ketë më shumë sukses në sektorin e verarisë, ambasadori francez , ka thënë se duhet të përdoret indikacioni i regjionit gjeografik të prodhimit. Sipas tij, prodhimet duhet të respektojnë emrat e brenduar dhe se është e rëndësishme që të zhvillojë zona rurale.

Mbështetje për bizneset e verarisë ka premtuar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka thënë se zhvillimi i sektorit privat është kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Po e ritheksoi gatishmërinë e Komunës së Rahovecit në mbështetje të partneritetit në mes të bizneseve private dhe investitorëve të jashtëm. Pavarësisht vështirësive ne po mundohemi të krijojmë ambient të qëndrueshëm në mënyrë që sektori privat dhe ndërmarrja private ta ketë rolin kryesor në zhvillim ekonomik të Rahovecit. Si komunë kemi për qëllim ngritjen dhe modernizimin e tregut në sektorin privat, shërbime efikase për të gjitha bizneset e komunës tonë, ofrimin e kushteve në të bërit biznes, me klimë më të përshtatshme për të gjitha bizneset e Komunës së Rahovecit”, ka thënë Latifi.

Ai ka deklaruar se janë duke e bërë krijimin e zonës ekonomike në një hapësirë prej 36 hektarësh, duke ju ofruar investitorëve një infrastrukturë më të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë biznesore.

Në anën tjetër, Bekim Hoxha, drejtor i Departamentit të Verarisë dhe Vreshtarisë në Ministrinë e Bujqësisë, ka thënë se si ministri çdoherë janë në mbështetje të bizneseve dhe prodhuesve të verës. Të pranishmit në këtë ngjarje përveç që i kanë bërë vizitë verarisë “Biopak” kanë provuar edhe verërat që prodhohen aty./KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pakistani ka njoftuar të enjten se ka testuar një raketë…