VËRTOKU – FSHATI I VARDARIT, I TROFTËS DHE I HIDROCENTRALIT

12 maj 15:18

Shtegtime nëpër Atdhe (CXIX)

Shkruan: Berat Luzha

Fshati i vogël Vërtok ndodhet në shpatijet e maleve të Sharrit, në Pollogun e Epërm, në lartësinë mbidetare 683 m., larg Gostivarit vetëm 7 km. Është pjesë e komunës së Gostivarit dhe ndodhet aty ku fillon fusha e gjerë e Pollogut.

Në gjeografi njifet si vendi ku buron Vardari, lumi më i madh dhe më i gjatë i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe i dyti, për nga gjatësia, i Greqisë. Vërtoku njihet edhe për hidrocentralin “Vërtok”, njërin ndër burimet kryesore të energjisë elektrike në shtetin e Maqedonisë Veriore.

Gjithashtu, njihet edhe si fshat dyetnik, me popullsi të përzier (1200 banorë; 75 për qind shqiptarë dhe 25 për qind maqedonas). Bashkëjetesa mes shqiptarëve e sllavëve të fshatit është në nivel, ku mbretëron mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë etnik e fetar.

Lumi Vardar (Bardhar), në Greqi i quajtur Axios, që buron me volum prej 1500 litra në sekond, përshkon dy shtete dhe shumë qytete, si dhe fushat e Pollogut, Fushën e Shkupit etj., duke kaluar mes për mes qytetit të Shkupit dhe duke vazhduar rrugën 388 kilometërshe për t’u derdhur në Detin Egje, afër Selanikut.

Dikur fshat i panjohur dhe rrethinë e pazhvilluar, burimi i lumit e ka bërë Vërtokun atraksion turistik me potencial të madh mjedisor; me bukuri të rralla natyrore, me burime të shumta ujore, me natyrë malore piktoreske e me pyje të larta, si dhe një mjedis të shëndetshëm, që meriton të vizitohet. Me gjithë bukuritë e shumta, duket se ky vend i mrekullueshëm është lënë në harresë institucionale, duke mos investuar për rregullimin e infrastrukturës së duhur turistike. Me pak investime nga shteti, thonë këtu, fshati mund të bëhet një qendër e rëndësishme turistike, jo vetëm për komunën e Gostivarit, por edhe për tërë Republikën dhe rajonin.

Vendburimi i lumit u shërben sidomos qytetarëve të Gostivarit dhe të rrethinës për pushim mbrëmjeve nën freskinë e ujit e të ajrit, kurse nga burimi, me ujin e pastër të pijes furnizohet qyteti i Gostivarit dhe fshatrat e rrethinës së tij.

Nga parku i qytetit të Gostivarit e deri në Vërtok, përreth lumit Vardar, është ndërtuar shtegu i ndriçuar i këmbësorëve që shërben për ecje të qytetarëve dhe çiklizëm në natyrë. Në afërsi të fshatit është ndërtuar hidrocentrali me prurje nëntokësore, që mbanë emrin e fshatit, “Vërtok”. Ky HEC, i ndërtuar në vitet ’50-ta të shekullit të kaluar, ka katër turbina me nga 49 MW, me kapacitet të plotë prej 162 MW.

Furnizimi me ujë i HEC-it është bërë me ndërrimin e rrjedhës së një pjese të lumit Radika përmes gypave nëntokësore, duke e mbushur Liqenin e Mavrovës e prej liqenit përcillet në HEC-in e Vërtokut, pastaj lëshohet uji në lumin Vardar. Në metrat e parë të rrjedhës së lumit, pas burimit, kultivohet trofta e artë dhe e argjentë e Vërtokut.

Vërtoku, i ndërtuar në një grykë mali, deri në vitin 2004 ishte qendër komune, kurse tash është një qendër e pëlqyeshme turistike e komunës së Gostivarit, që vizitohet gjatë tërë vitit, veçanërisht muajve të verës nga turistë të shumtë vendorë e të huaj. Njerëzit janë kurrestarë ta vizitojnë dhe të kënaqen me vendburimin e lumit më të madh në shtet dhe nga më të mëdhenjtë në Ilirik.

Te burimi i këtij lumi, në një natyrë të jashtëzakonshme e në një vend ideal për pushim, vendësit kanë ndërtuar shumë restorante e lokale tjera hoteliere, kryesisht aso të peshkut dhe të gatimeve tradicionale të vendit.

Vërtoku është një vend ku natyra ka krijuar mrekulli.

May be an image of road dhe text that says 'Vërtok вруток'
May be an image of natyrë dhe mal
May be an image of ambiente të jashtme
May be an image of 1 person, standing dhe ambiente të jashtme
May be an image of pemë, body of water dhe natyrë
May be an image of ambiente të jashtme
May be an image of body of water
May be an image of road dhe text that says 'врутон'
May be an image of Berat Luzha dhe ambiente të jashtme

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë me…