Veseli: Duhet të dalim me rekomandime për cilësinë e ajrit

31 janar 2018 | 16:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij gjatë seancës së jashtëzakonshme për cilësinë e ajrit në Prishtinë, ka thënë se jeta e qytetarëve në kryeqytet pothuajse është ngulfatur dhe ka kërkuar që të dilet me rekomandime për cilësinë e ajrit, i cili kohëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

“Fakti është se ne kemi trashëguar një gjendje të mjerueshme të faktorëve që shkaktojnë ndotjen ambientale, industrializimi siç është KEK-u në Obiliq, Trepça në Mitrovicë apo edhe ndotja e lumenjve që janë faktor që kemi tani një kohë të gjatë. Edhe pas luftës për shkak të mos kontrollit të industrisë së ndërtimit ka vazhduar lulëzimi i ndërtimeve të egra dhe kaosi urbanistik që i ka ndihmuar gjendjes edhe me të rëndë ambientale, papërgjegjësia jonë në hedhjen e mbeturinave dhe prerja e drurëve që kanë shkaktuar ndotjen e ajrit”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se Prishtina po bëhet një qytet i pajetueshëm.

“Kryeqyteti dhe jeta e qytetarëve në kryeqytet pothuajse është ngufatur, hapësirat publike po ngushtohen dhe shumë pjesë të kryeqytetit po ngjajnë labirinteve të zymta…Prishtina është bërë ambientalisht qytet i pajetueshëm. Por edhe shumë qytete të tjera nuk janë më mirë, e ripërsërisë në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Mitrovicë”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se nga kjo seancë duhet të dalin me një rezolutë për masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e ajrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roger Federerit iu rezervua një pritje madhështore nga fansat e…