Veseli e Haradinaj e urojnë komandantin e ri të KFOR-it

28 nëntor 15:55

Gjeneralmajor Lorenzo D’addario ka pranuar të mërkurën detyrën e komandat të ri të KFOR-it në Kosovë.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj e kanë uruar komandantin e ri të KFOR-it.

Veseli ka thënë se Lorenzo D’addario do ta ketë mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës.

“Uroj komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’addario, që sot pranoi detyrën nga paraardhësi i tij, Gjeneral Salvatore Cuoci, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin dhe punën gjatë shërbimit në vendin tonë. Kosova është vend i sigurt dhe faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Sikurse deri më tani, KFOR-i do ta ketë bashkëpunimin e plotë të institucioneve të Kosovës, në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij, në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e KFOR-it.

“Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë. Falë NATO-s, Kosova është shtëpi e sigurt e të gjithëve pa dallim. I nderuar të isha pjesëmarrës në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, nga komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, te gjeneralmajor Lorenzo D’addario. Mirënjohje të gjitha kombeve që ishin dhe vazhdojnë të jenë pjesë e KFOR-it, që u kujdesën për 19 vjet me radhë për një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët tanë. Institucionet dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë së Kosovës do të jenë partnerë të vazhdueshëm dhe të besueshëm të KFOR-it në garantimin e paqes dhe stabilitetit në vendin tonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi ka udhëtuar drejt Londrës, ku mbrëmjen e sotme do…