Veseli: Marrëdhëniet me Japoninë do të thellohen, së shpejti hapet ambasada japoneze në Kosovë

13 mars 2019 | 11:23

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e parë të vizitës së tij në Tokio, është pritur në takim nga Oshima Tadamori, kryetar i Parlamentit të Japonisë, ku temë kryesore e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë.

Veseli ka falënderuar homologun japonez për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria japoneze për Kosovën, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.

Kryeparlamentari kosovar ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në mundësitë që ofron ekonomia kosovare për projekte investive nga kompanitë japoneze, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Vendi juaj, me modelin e zhvillimit që përfaqëson, është model frymëzues për të rinjtë tanë që duan ti përkushtohen inovacionit e ndërrmarrësisë”, ka thënë Veseli.

Ai ka theksuar se Kosova si shtet i ri dhe demokraci e re ndihet mirë që një vend mik si Japonia është në mbështetje të synimeve të saj.

Ndërsa kryetari i Parlamentit të Japonisë, Oshima Tadamori, ka thënë se shteti i tij vazhdon të jetë i përkushtuar në thellimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha fushat ku ekzistojnë mundësitë, sidomos në investimet ekonomike.

Duke u ndalur tek vlerat e përbashkëta që kanë dy popujt tanë, Tadamori është shprehur se gjithmonë e impresionon figura e humanistes shqiptare Nënë Tereza.

“Misioni i kësaj gruaje të madhe flet shumë për popullin tuaj”, ka thënë Tadamori.

Ai gjithashtu ka përmendur suksesin e shtetit të Kosovës në sportin e xhudos.

“Jeni bërë të pakonkurencë në xhudo. Pres të triumfoni edhe në lojërat olimpike Tokio 2020”, ka thënë kreu i Parlamentit të Japonisë.

Kryeparlamentari Veseli do të zhvillojë takime me ministra të Qeverisë japoneze, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, atë të Zhvillimit Ekonomik, derisa do të ketë takime edhe me deputetë e zyrtarë të lartë të shtetit japonez.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shawn Mendes sapo filloi turneun botëror në Evropë. Këngëtari 20-vjeçar…