Veseli: Paralajmërimi për dorëheqjen e kryetarëve në veri cenon stabilitetin e Kosovës

24 maj 2019 | 17:30

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ndaj deklaratës se kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes se kryetarëve të sapozgjedhur në veri të vendit.

Veseli ka thënë se një paralajmërim i tillë cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës, është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë”.

“Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes në…