Vetëreklamimi në një mbrëmje humanitare

23 maj 2022 | 16:19

Daut Dauti

Para disa ditësh BKCC (British-Kosovar Chamber of Commerce: Dhoma Komerciale Britaniko-Kosovare), ka organizuar një gala mbrëmje në një hotel luksoz të Londrës. Mbrëmja kishte për qëllim mbledhjen e parave për përkrahjen e një iniciative për rekonstruktimin e gjirit të grave pas kancerit që ka filluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kjo iniciativë, e cila quhet ‘Ta kthejmë buzëqeshjen në fytyrën e gruas’, është vërtetë humane, dhe si e tillë e qëlluar, të cilës në Londër i prinë aktivistja Adelina Toplica Badivuku.

Në shikim të parë, gjithçka dukej e përsosur. Prej hapësirave të hotelit e deri të pritja e mysafirëve, muzika e ushqimi. Njerëzit vinin me makina të shtrenjta, që nga BMW e deri te Mercedesi e Ferrari. Ata që vinin me taxi, para derës së hotelit e krijonin pamjen e hyrjes në portën e Holivudit. Gjithçka shkëlqente.

Më shumë se 270 veta të këtillë kanë paguar nga 90 funta për hyrje, që dmth për darkë që ka kushtuar për një person. Duke e konsideruar këtë pagesë, por edhe donacionet tjera të mbledhura atë natë, sipas organizatorit, mbrëmja ka gjeneruar  35, 253 funta. Por, 20, 564 kanë qenë harxhime që janë paguar për mbrëmjen. Pra, janë mbledhur vetëm 14, 689 funta dhe nga kjo shumë, 7000 funta dërgohen në Kosovë për ta përkrahur iniciativën humanitare kurse shuma tjetër mbetet në fondin e BKCC-së. Me pak fjalë, janë harxhuar më shumë se 35 000 funta për t’i mbledhur 7000 funta për inicativën në fjalë.

Zor të kthehet buzëqeshja në fytyrat e grave nëse u tregojmë se për shumën që është mbledhur për to, janë harxhuar pesë fish më shumë. Mbrëmjet humanitare kanë për qëllim që të mbledhin para shumëfish më shumë se sa harxhimet që bëhen për organizim. Kjo nuk ka ndodhur në këtë rast. Në këtë aspekt, pasi që qëllimi nuk është përmbushur, shohim një dështim që nga organizatori e deri te pjesëmarrësit.

Ky rast flet për shumë gjëra. Është fakt që bënë me dije se pjesëmarrësit nuk japin para për qëllime humanitare. Ndoshta edhe nuk kanë, por vijnë në këso mbrëmje për vetëreklamim të statusit të tyre të rrejshëm. Apo ndoshta organizatori herën tjetër duhet t’i shenjoj për t’i ftuar vetëm ata që kanë para dhe që japin, në mënyrë që këto mbrëmje të mos bëhen imitime të zbehta të atyre të vërtetave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e…