Vetëvendosja e bindur: Politika e jashtme ka degraduar

27 nëntor 2020 | 08:07

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se shkarkimi i konsujve nga ushtruesja e detyrës e presidentit Vjosa Osmani është vendim i drejtë pasi që caktimi i tyre është bërë jashtëligjshëm.

“Janë hapa të duhur dhe shpresojmë që janë hapat e para në kuadër të një procesi të vendimeve që do të duhej t’i merrte ushtruesja e detyrës e presidentit, zonja Osmani, sepse përveç caktimeve në misione të cilat janë bërë në mënyrë të parregullt, kemi edhe gradime që janë bërë jashtëligjshëm e që ka qenë i përfshirë ish-presidenti Thaçi”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se deklarata e kryeministrit Avdullah Hoti se ai nuk ka dijeni për emërimin e këtyre konsujve,  tregon se Kosova realisht nuk ka qeveri.

“Kjo tregon që realisht në Kosovë nuk kemi qeveri. Pra është një urgjencë e madhe e rrejshme e partive të vjetra që të zgjedhin një president të ri sepse thonë se nuk kemi president, por që realisht presidente kemi. Po vepron në vendosjen e ligjit, por çfarë nuk kemi është qeveria. Është e pabesueshme që një kryeministër legjitim sikur ky që e kemi të mos e dijë dhe të mos arrijë të menaxhojë ministri të cilat i ka në kabinetin e tij”, ka shtuar ai.

Ahmeti ka thënë se politika e jashtme e Kosovës ka degraduar jashtëzakonisht shumë.

“Politika e jashtme kosovare ka degraduar jashtëzakonisht shumë në dy shtyllat e saj sikurse në qëndrimet politike të cilat kanë degraduar me zotimet personale të Hotit në Washington me 4 shtator. Sikur në mekanizmin e politikës së jashtme që është Ministria e Punëve të Jashtme dhe shërbimi diplomatik ku bëhen caktime në misione si këto të fundit që i pamë e nuk ka as koordinim dhe as menaxhim të përbashkët brenda Qeverisë” ka përfunduar Ahmeti për EO.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për emërimin e konsujve të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Nga zyra e Presidencës thuhet se sa i përket tri rasteve të para, emërimet janë bërë në kundërshtim me ligjin pasi janë hapur konsullata të përgjithshme në qytete ku dhe ka ambasada.

Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili sipas njoftimit nuk ishte marrë për bazë nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka marr vendim që personat të cilët…