Vetëvendosje dhe Presidentja Osmani e kishin shpallur të konstituuar Kuvendin me zgjedhjen e Rashiqit
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka rikonfirmuar se kandidati për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të vetë komunitetit.
Përmes këtij vendimi të sotëm, Kushtetuesja ka bërë të qartë se zgjedhja e Nenad Rashiqit s’ka qenë në frymën e Kushtetutës dhe përbën shkelje kushtetuese.
“Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Rasti i është dërguar Gjykatës Kushtetuese nga Igor Simiq dhe 9 deputetë tjerë të Listës Srpska.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kishte proceduar me short të gjithë deputetët e Listës Serbe për t’u zgjedhur nënkryetar, megjithatë asnjëri prej tyre s’kishte marrë vota te mjaftueshme në votimet e përsëritura.
Basha pas dështimit të 9 deputetëve të Listës Serbe, kishte proceduar me short edhe emrin e deputetit Nenad Rashiq, i cili në atë votim kishte arritur të merrte votat e nevojshme për t’u bërë nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e Rashiq ishte mundësuar nga votat e LDK-së, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.
Me zgjedhjen e Rashiqit në këtë pozitë, kryetari i Kuvendit të Kosovës e kishte konsideruar Kuvendin si të konstituuar. Qëndrim të njëjtë kishte pasur edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila me profesion është juriste. Në një paraqitje nga oborri i QKUK-së, Osmani e kishte cilësuar si të përfunduar procesin e themelimit të Kuvendit të Kosovës.
“Përkundër angazhimit tim të vazhdueshëm që të kemi konstituim të Kuvendit, ajo çështje është varur kryekëput nga vullneti i partive politike dhe deputetëve të Kuvendit, por më në fund edhe ai proces u përmbyll. Kemi Kuvend plotësisht të konstituuar”, kishte deklaruar Osmani në tetor të vitit të kaluar.
Osmani duke e konsideruar si të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas votimit të Nenad Rashiq, kishte mandatuar të propozuarin e LVV-së, Albin Kurtin, për kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili kishte dështuar të merrte shumicën për krijimin e institucioneve të reja.
Gjykata thekson se aktgjykimi s’ka efekt prapaveprues që i bie se vendimet e kuvendit të “konstituuar” nuk anulohen.



