
VIDEO e aksidentit të frikshëm në Peshkopi, makina me shpejtësi merr para policin dhe përplaset me dyqanin
Janë publikuar pamjet e aksidentit të rëndë të regjistruar pasditen e kësaj të shtune në Peshkopi.
Siç shihet nga video e publikuar nga TCH, drejtuesi i automjetit “Golf”, Alban Shoti ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka hyrë brenda një biznesi privat berberhane.
Si pasojë ka mbetur i dëmtuar rëndë efektivi i policisë Veli Gjura, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe është dërguar tek spitali i Traumës, dhe një ndihmës-berber që punonte në berberhane.
Drejtuesi i auotmjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.
Mësohet se polici civil ishte në shërbim për mbarëvajtjen e qarkullimit pasi në orën 19:00 Sali Berisha kishte mitingun përmbyllës në Peshkopi.
“Sot, rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit”, – thuhej në njoftimin e Policisë.