Viti i FC Prishtinës, synim titulli dhe Evropa

11 janar 2018 | 15:52

FC Prishtina i ka nisur ditë më parë përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit, në të cilin synon të jetë e suksesshme dhe si rezultat të luajë përsëri në garat evropiane.

Prishtinasit po ushtrojnë dy herë në ditë, në “Top footbal” të Mazgitit afër Kastriotit dhe në fushat e vogla të mbyllura me bari sintetik në “Prince”, lagjja “Arbëria”. Ndërkaq, kah fundi i janarit Bardhekaltrit do ta marrin rrugën drejt Antalyas në Turqi, ku do ta zhvillojnë pjesën tjetër të përgatitjeve. Pjesë e tyre do të jetë edhe Gauthier Mankenda, mesfushori kongolez i cili është mjaft i rëndësishëm për skuadrën e Mirel Josës. Futbollisti ofanziv është i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve dhe po e shijon këtë fazë. “Përgatitjet po shkojnë mjaft mirë dhe trajneri me stafin e tij po na shtyjnë përpara për të punuar”, thotë fillimisht Mankenda për “Zërin”.

Titullin dhe Evropën me Prishtinën

FC Prishtina nuk ka arritur të shpallet kampione e Kosovës qe disa vite dhe Mankenda beson se ky do të jetë viti i Bardhekaltërve. Me prishtinasit ai synon që në fund të sezonit ta ngrejë lart ndonjë trofe, në mënyrë që më pas të luajë përsëri në njërin nga kompeticionet që i organizon UEFA. “Ne kemi ambicie ta fitojmë kampionatin ose Kupën dhe të luajmë në Evropë, sepse kjo është e rëndësishme për klubin dhe për ne”, shprehet futbollisti afrikan.

Premton maksimumin

Mankenda premton se do ta japë më të mirën nga vetja në pjesën e dytë të sezonit, me qëllim që ta ndihmojë ekipin kryeqytetas në arritjen e objektivave. “Unë ndihem mirë dhe në pjesën e dytë të kampionatit kam nevojë ta jap maksimumin nga vetja dhe të punoj fort për ekipin”, vazhdoi ai.

Ëndërron Championsin

FC Prishtina e theu akullin e futbollit kosovar duke u bërë skuadra e parë e këtushme që luan në Europa League. Megjithatë, Mankenda nuk e fsheh dëshirën apo ëndrrën e tij për të luajtur në kompeticionin më të rëndësishëm evropian të futbollit. “Po, ëndërr dhe ambicie imja është të luaj në Ligën e Kampionëve”, përfundoi ai. (Zëri)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur prezantimi…