“Vitin tjetër në…” NATO, OKB, BE e në suksese tjera

06 qershor 2018 | 13:54

Shkruan: Bayram Pomak

Vështrim librit “Vitin tjetër në…” të politologut Albinot Maloku, Botimet Fleta, f. 206, 2018

Libri i Albinot Malokut “Vitin tjetër në…”, që në fakt është një përmbledhje analizash rreth ngjarjeve të ndryshme kryesisht politike përgjatë një viti, shënjon njëkohësisht edhe botimin më të ri që nxjerr në dritë Shtëpia Botuese “Fleta”. Libri ka një rrjedhë e cila edhe nga një distancë historike, lexuesit ia falë fotografinë reale të ngjarjeve të shqyrtuara.

Autori Maloku ka përdorur një stil të veçantë që hetohet që në titujt e artikujve, nëpërmjet të cilëve ai ia bënë me dije lexuesit duke ia precizuar temën e trajtuar. Në çdo analizë të përmbledhur në këtë libër, lexuesi mund të diktojë atmosferën politike në të cilën ka kaluar Republika e Kosovës brenda një periudhe një vjeçare. Duhet theksuar se pavarësisht tundimeve, autori Maloku shfaqet i kujdesshëm në shtjellimin, vështrimin, kritiken dhe ofrimin e zgjidhjeve,madje edhe për problemet që mund të jenë nxitëse të debateve. Fundja, për nga natyra ai nuk e duron nxitjen e debatit veç sa për t’u bërë, meqë ai do zgjidhje dhe jo konflikt.

Temat që i aktualizon autori, padyshim që përbëjnë një trajektore qëndrimesh që ai prej kohësh e ka ndjekur dhe vijon ta ndjek. Maloku në rrafshin diplomatik është i interesuar për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai rekomandon që në këtë synim të ndiqet një politikë me qëllim, pra që Republika e Kosovës të mos devijojë për as një çmim nga rrugëtimi i saj drejt bërjes anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Që në fillim të kësaj përmbledhjeje autori insiston që shteti i Kosovës t’i refuzojë edhe pjesëmarrjet në debatet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që rrjedhin si pjesë e Rezolutës 1244. Dialogun pa qëllim dhe afat, ai e refuzon.

Autori ua hedh një vështrim kritik edhe raporteve mes politikës vendore e asaj ndërkombëtare, qoftë brenda Kosovës, qoftë jashtë saj. Këto relacione ai i konsideron të pashëndetshme dhe që duhet të ndryshojnë. Brenda kësaj përmbledhjeje Maloku shtjellon problematika nga të gjitha segmentet e funksionimit shoqëroro-politik. Nga llupa e autorit nuk shpëton puna e presidencës, kryeministrisë, parlamentit dhe institucioneve të tjera më të ulëta për kah hierarkia. Po ashtu Maloku rekomandon si të domosdoshme edhe reformën zgjedhore e cila me formatin aktual ka ditur të prodhojë edhe gjendje konfliktuoze në momentin e bërjes së institucioneve të reja. Me kujdes të veçantë i aktualizon edhe marrëdhëniet mes shteteve të Ballkanit mes vete, por edhe në raport me Bashkimin Evropian.

Në këtë sens ai këto raporte i përshkruan kështu: “Rivalitetet në mes të shteteve të Ballkanit të ashtu quajtur perëndimor nuk kanë pushuar ende, por gati të gjitha këto shtete janë veçse në aleanca të caktuara ushtarake dhe me kapacitete të mjaftueshme vetë-mbrojtëse”, dhe padyshim pasjen e Forcave Ushtarake për Kosovën e sheh si të domosdoshme dhe jo vetëm si një përmbushje e elementit shtet-formues.

Për fund mund të them se Albinot Maloku me përmbledhjen analitike “Vitin tjetër në…”, plotëson edhe një fushë të mozaikut publicistik në vendin tonë, që duhet të konsultohet nga secili lexues, por edhe studiues i interesuar i rrugëtimit të shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, është…