Vizitë e rëndësishme dhe sjellje e dinjitetshme

04 dhjetor 2022 | 17:29

(Për vizitën e Presidentit Begaj në Vatikan)

Agim Vinca

Në Prishtinë, e as në Tiranë, askush nuk e shtron pyetjen se përse Vatikani nuk e njeh Republikën e Kosovës? As politikanët, as diplomatët, as ministrat e jashtëm, as kryetarët e komisioneve për politikë të jashtme dhe as ministrat e deputetët e tjerë shqiptarë kudo që janë, nuk e prekin fare këtë çështje.

Madje, as analistët e shumtë në të dy anët e kufirit që na bombardojnë për çdo natë me “analizat” e tyre “kompetente” për politikën e jashtme e të brendshme, nuk i referohen fare çështjes së (mos)njohjes së Kosovës nga Vatikani. Heshtin si të mos ekzistonte!

E, kanë kaluar më se 14 vjet nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur e sovran më 17 shkurt 2008. Ndërkohë, Kosovën e pavarur e kanë njohur mbi njëqind shtete të botës (kush thotë 117, kush më pak), përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë etj., ndërsa Vatikani, për çudi (për arsyet që ne s’i dimë; s’kemi si t’i dimë!), nuk po e bën as përçapjen më të vogël në këtë drejtim. (Shteti i fundit që na njohu rreth dy vjet më parë, por me kushte – kusht ishte vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem e jo në Tel-Aviv – është Izraeli).

Në këta njëzet e sa vjet nga çlirimi i Kosovës e këndej në vizitë te Papa në Romë kanë qenë, pos Ibrahim Rugovës (më se një herë), edhe Hashim Thaçi, Sali Berisha, Fatos Nano, Bujar Nishani, Edi Rama, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Atifete Jahjaga e të tjerë (lista mund të jetë edhe më e gjatë), por askush nga këta, me asnjë fjalë, nuk ka kërkuar nga kreu i Selisë së Shenjtë që ta njohë Republikën e Kosovës si shtet. Kanë bërë dhurata, ftesa për vizitë, kanë folur në përgjithësi për marrëdhënie të mira me Selinë e Shenjtë etj., por çështjen kryesore: atë të njohjes së Kosovës nga Vatikani e kanë heshtur ose anashkaluar!

I pari që po e bën këtë hap, hapur dhe pa hezitim, është Presidenti i posazgjedhur i Shqipërisë (e mori këtë detyrë pak muaj më parë), Bajram Begaj. Gjatë vizitës që i bëri këto ditë Selisë së Shenjtë, ku u prit nga kreu i saj, Papa Fraçesku i Dytë, Presidenti Begaj, siç njoftohet, i kërkoi mikpritësit, Papa Françeskut, njohjen e Kosovës si shtet nga Vatikani.
Këtë e bëri të ditur vetë kreu i shtetit shqiptar në një intervistë për median italiane (në gazetën e njohur “Il Tempo”).

Njoftohet gjithashtu se zoti Begaj ka thënë me këtë rast se “roli i Papës është i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor” dhe se “vëmendja e Papës ndaj Kosovës do ta ndihmonte shumë dialogun Beograd-Prishtinë”.

Duke pasur parasysh këtë fakt, sikurse edhe rolin e Selisë së Shenjtë në përgjithësi në botë, këto dy thekse të fjalës së Presidentit shqiptar fitojnë peshë akoma më të madhe.

Zoti Bajram Begaj është në fillim të mandatit të tij si president i Republikës së Shqipërisë. Nuk e dimë si do të sillet më vonë dhe sa do të ketë hapësirë për të vepruar, por vizita e tij e parë e rëndësishme jashtë vendit (në Vatikan), sikurse edhe sjellja e tij dinjitoze në takimin me Kreun e Selisë së Shenjtë dhe, në mënyrë të veçantë, kërkesa për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet nga Vatikani paralajmërojnë një fillim të mbarë.

Urojmë që Presidenti Begaj, njeri që në postin e kryetarit të shtetit erdhi nga radhët e ushtrisë (pas një karriere të gjatë e të suksesshme si ushtarak), ta vazhdojë mandatin duke vënë në plan të parë interesat shtetërore e kombëtare e jo duke menduar për karrierën e tij politike, siç kanë vepruar dhe veprojnë shumica e politikanëve shqiptarë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar në FIFA ndaj…