Vlera për shtyrje të kësteve të kredive kap shumën 1.30 miliard euro

23 maj 2020 | 16:24

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka bërë me dije se virusi Covid-19 zyrtarisht është shpallur pandemi, pasi përfshiu 114 vende. Sipas Worldometers në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 22 maj 2020, janë raportuar gjithsej 5.263.085 raste të Covid-19 dhe  337.813 raste të vdekjes. Kjo gjendje padyshim që afektoi edhe në ekonominë e Kosovës. Për shkak të virusit Covid-19, Banka Botërore ka paraparë rënie të ekonomisë në Kosovë prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021.

Po ashtu kjo pandemi ka pasur ndikim edhe te bankat komerciale, gjegjësisht kërkesa për shtyre të kredive.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka thënë se bazuar në informatat e pranuara nga sektori bankar, vlera e tërësishme e kërkesave për shtyrje të pagesës së kësteve deri më 31 mars 2020 është 1.30 miliard euro, apo 42.5 për qind e gjithsej portofolit kreditor.  “Në kontekst të numrit të kredive, janë gjithsej 44,670 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 9.8 për qind e gjithsej numrit të kredive. Norma e aprovimit të kërkesave për shtyrje të kredive është mjaft e lartë; 98 për qind për persona juridik dhe 86 për qind për persona fizik”, ka deklaruar Ahmeti për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30.3 për qind e portofolit kreditor. “Në kontekst sektorial, bizneset përbëjnë shumicën e vlerës së kërkesave për shtyrje prej 30.3 për qind  e portofolit kreditor apo 71.5 për qind e gjithsej vlerës së kërkesave. Sa i përket personave fizik, gjithsej kërkesat ishin 12.1 për qind e portofolit kreditor, ku 39.5 për qind e tyre janë kërkesa të personave fizik që janë punonjës në sektorin privat. Vlen të theksohet se gjatë muajit prill 2020, bazuar në të dhënat preliminare të pranuara, nuk ka rritje të numrit të kërkesave për shtyrje të kredive”, ka deklaruar Ahmeti. (A. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit që është lidere e Superligës, sërish ka…