Vlerësohet bashkëpunimi mes dy ushtrive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur delegacionin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë – FARSH të udhëhequr nga drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Ardian Lilo.
Vizita është realizuar në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes dy forcave, dhe me qëllimin të shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy strukturave komanduese dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta afatmesme dhe afatgjata.
Gjatë takimit u vlerësua lartë bashkëpunimi i deritanishëm në mes të dy forcave të armatosura në ushtrimet dypalëshe dhe ato ndërkombëtarë si dhe aktivitetet tjera bilaterale.
Gjeneral Jashari dhe gjeneral Lilo u zotuan për mbështetjen e dy shtabeve për arritjen e objektivave të synuara, duke koordinuar kështu së bashku angazhimet tona për t`u përballur me sfidat e sigurisë rajonale.



