Ismail Syla: Thaçi është i bindur në pafajësi dhe është optimist për ditët e mira që do të vijnë për të
Ismail Syla, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, ka shkruar se sot po bëhen pesë vite që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga pozicioni më lartë politik i vendit, u nis për në burgun e Hagës, si rezultat i aktakuzës së Gjykatës Speciale.
“Në fakt, u deshën edhe dy vjet e gjysmë që Thaçi dhe të arrestuarit tjerë të qëndrojnë në burg, që të “formësohet” përmbajtja e aktakuzës, e cila filloi e bazuar në raportin e paqëndrueshëm të senatorit Dick Martty , për t’u pasuruar me të dhëna nga qeveria e Beogradit dhe mali i “dëshmive” të tipit të atij personi që ankohej për marrjen e mëshqerrës nga dikush i UÇK-së. Mali i “dëshmive” e bën gjykatë kampione, nga e cila ende nuk doli një fakt kokëfortë. E tha në mënyrë eksplicite zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, që për një çerek shekulli kërkon nga institucionet përkatëse të SHBA-së, dëshmi për krime lufte dhe kundër njerëzimit që gjoja kanë kryer të akuzuarit në Hagë, por asnjëherë ato nuk u gjetën. Kjo gjykatë hyn në librin e rekordeve të Ginisit për lehtësinë e padurueshme të refuzimit të çdo ankese të palës mbrojtëse, të vetë të akuzuarve dhe të shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke i mbajtur në burg pandërprerë rrafsh për 5 – PESË vite, ndonëse koha tregoi se ata nuk paraqesin asnjëlloj rreziku”, ka shkruar Syla, duke shtuar se 21 vjet pas çlirimit, presidenti Thaçi u ballafaqua me sfidën e burgosjes. “Ende është në burg, por i bindur në pafajësi, i fortë moralisht, i kthjelltë politikisht dhe optimist për ditët e mira që do të vijnë për të, për shokët pranë tij dhe për Kosovën, së cilës ia kushton çdo sekondë jete”, ka shkruar ai.



