Vota e Listës Serbe për demarkacionin do të ketë pasoja

27 shkurt 2018 | 07:50

Politologu Belul Beqaj ka thënë të hënën se, pavarësisht prej deklaratave publike, Lista Serbe mund ta ndryshojë qëndrimin për marrëveshjen e shënimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se nëse Lista Serbe e voton demarkacionin, do ta kushtëzojë me votën për asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të kërkojë komuna të reja, si dhe do ta kushtëzojë transformimin e FSK-së në ushtri.

“Fati i kësaj marrëveshje ka mbetur në duar të politikës së pamëshirshme që e ka obsesion pushtetin. Lista Serbe është vetëm një faktor shtesë i pushtetofobisë së atyre që shkaktuan zgjedhjet vetëm për të mbetur apo për të ardhur në pushtet. Megjithatë, Lista Serbe, pavarësisht prej deklaratave publike, mund ta ndryshojë qëndrimin. Por, pasojat e ndryshimit të qëndrimit të Listës Serbe do të jenë më të mëdha në krahasim me mosndryshimin e qëndrimit. Nëse e mbështet ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, do ta kushtëzojë votimin me asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, e jo sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të kërkojë komuna të reja, do ta kushtëzojë transformimin e FSK-së në ushtri, poste të reja, ndryshime kushtetuese”, ka deklaruar Beqaj.

Ai ka theksuar se pasojat janë krijuar edhe nëse do të ratifikohet demarkacioni dhe, sipas Beqajt, për këtë duhet të jepet përgjegjësi morale, politike dhe juridike nga ata që demarkacionin e kanë shndërruar në instrument pushteti. Sipas Beqajt, është shumë pak e pritshme që grupi i ndarë i Vetëvendosjes ta votojë marrëveshjen sepse, sipas tij, një veprim i tillë i ndonjë individi do ta damkoste kauzën, më së shumti të ardhmen e tyre politike.

Beqaj ka thënë se pret që të zbardhen faktet dhe e vërteta për kufirin, e jo të thellohet konfuzioni.

Ai ka folur edhe për punën e Qeverisë Haradinaj, duke thënë se kjo Qeveri do të mund të mbijetojë edhe pas ratifikimit të demarkacionit. Sipas Beqajt, Kosova ka kaluar shumë kriza në këtë dhjetëvjeçar, por asnjë qeveri nuk ka bërë aq shumë mashtrime dhe abuzime në këtë kohë kaq të shkurtër.

“Mënyra se si është sajuar kjo Qeveri tregon se qëllimi kryesor i saj ka qenë pushteti. Realisht, Kosova ka kaluar shumë kriza në këtë dhjetëvjeçar, por asnjë qeveri nuk ka bërë aq shumë mashtrime, abuzime në kohë kaq të shkurtër. Megjithatë, kjo Qeveri do të mbijetojë për shkak se është e gatshme për t’i kryer edhe disa detyrime të cilat mund t’i kryejnë vetëm politikanët pa kurrfarë integriteti. Të shpresojmë se subjektet e tjera politike do të nxjerrin mësime nga aventurat e kësaj Qeverie”, ka theksuar Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, tashmë është arritur një marrëveshje për miratimin e demarkacionit në mes të tri partive në pushtet (PDK-së, AAK-së, Nismës) me LDK-në, megjithatë ende nuk janë bërë votat e nevojshme (2/3) për ta ratifikuar marrëveshjen për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Si e shihni përfundimin e këtij procesi?
Beqaj: Mendoj se ky pushtet po kalon nga faza e zhgënjimit të fundit, në procesin e zhgënjimit të pafundmë.

“Epoka e re”: Fati i kësaj marrëveshje, si duket, ka mbetur në mëshirën e deputetëve të Listës Serbe, edhe pse këta të fundit kanë deklaruar se nuk do ta votojnë. A prisni ndryshim të këtij qëndrimi?
Beqaj: Fati i kësaj marrëveshje ka mbetur në duar të politikës së pamëshirshme që e ka obsesion pushtetin. Lista Serbe është vetëm një faktor shtesë i pushtetofobisë së atyre që shkaktuan zgjedhjet vetëm për të mbetur apo për të ardhur në pushtet. Megjithatë, Lista Serbe, pavarësisht prej deklaratave publike, mund ta ndryshojë qëndrimin. Por, pasojat e ndryshimit të qëndrimit të Listës Serbe do të jenë më të mëdha në krahasim me mosndryshimin e qëndrimit. Nëse e mbështet ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, do ta kushtëzojë votimin me asociacionin e komunave me shumicë serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit, e jo sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të kërkojë komuna të reja, do ta kushtëzojë transformimin e FSK-së në ushtri, poste të reja, ndryshime kushtetuese.

“Epoka e re”: Si e komentoni rolin e opozitës në gjithë këtë proces? Mund të pritet që ndonjëri nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të këtyre që kanë bërë një distancim nga LV-ja, do ta votojnë demarkacionin?
Beqaj: Është shumë pak e pritshme që grupi i ndarë i Vetëvendosjes të bëjë veprime të tilla edhe nëse ka eventualisht individë, që për favore të ndryshme, mund ta votojnë marrëveshjen. Është shumë vështirë të besohet ngaqë ata janë peng e një kauze për të cilën kanë rrezikuar jo vetëm burgun, por edhe jetën. Prandaj, një veprim i tillë, i ndonjë individi, do ta damkoste kauzën, më së shumti të ardhmen e tyre politike.

“Epoka e re”: Nesër (e mërkurë) do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritet të votohet çështja e demarkacionit. Cilat janë pritjet e juaja? Do të kalojë demarkacioni?
Beqaj: Mendoj se kjo çështje ka shkaktuar pasoja me vetë faktin se është shndërruar në çështje më neuraligjike të qytetarëve rreth tre vjet. Vlerësoj se pasojat janë krijuar, pavarësisht se a do të ratifikohet. Për këtë duhet të jepet përgjegjësi, morale, politike dhe juridike nga ata që demarkacionin e kanë shndërruar në instrument pushteti. Në njërën anë i kemi qytetarët që ‘nuk japin tokë për viza’. Në anën tjetër, i kemi qytetarët që shpëtimin e presin nga liberalizimi i vizave. Pra, kufiri, qysh në ditën e dytë, pas ratifikimit eventual, mund të jetë casus beli (shkas për luftë) për ata që janë të bindur se ‘Thaçi e ka tradhtuar vendin’. Mashtrimi me mbulesa të trilluara (Marrëveshja e dy presidentëve, Raporti i Komisionit të Bulliqit…) është dëshmi se është arritur konsensus i mashtruesve për ta ratifikuar Marrëveshjen e ratifikuar nga ana e Parlamentit të Malit të Zi në të cilën mund të bëhen korreksione kozmetike pa këto mbulesa mashtruese. Prandaj, unë pres që të zbardhen faktet, e vërteta për kufirin, e jo thellimi i konfuzionit.

“Epoka e re”: Nëse kalohet demarkacioni, a mund të mbijetojë Qeveria aktuale?
Beqaj: Mënyra se si është sajuar kjo Qeveri tregon se qëllimi kryesor i saj ka qenë pushteti. Realisht, Kosova ka kaluar shumë kriza në këtë dhjetëvjeçar, por asnjë qeveri nuk ka bërë aq shumë mashtrime, abuzime në kohë kaq të shkurtër. Megjithatë, kjo Qeveri do të mbijetojë për shkak se është e gatshme t’i kryejë edhe disa detyrime të cilat mund t’i kryejnë vetëm politikanët pa kurrfarë integriteti. Të shpresojmë se subjektet e tjera politike do të nxjerrin mësime nga aventurat e kësaj Qeverie.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg…