Votohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që lehtësojnë gjykimin në mungesë për krime lufte

19 prill 2021 | 13:38

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar pro kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë (MD) për plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për gjykimin në mungesë për krimet e luftës.

Përderisa deputeti i Listës Serbe, Ljubinko Kradziq, nuk ka qenë i pranishëm në votimi, deputetët e opozitës kanë kërkuar të mos nxitohet, pavarësisht që e mbështetën në parim iniciativën e MD-së.

Adnan Rrustemi, kryetar i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar që është me rëndësi që procesi i gjykimit të fillojë sa më parë dhe të vendoset drejtësi.

“Përgjegjësia e krimeve të luftës në Kosovë nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë adekuate dhe për mua është me rëndësi që procesi i gjykimit në mungesë të fillojë sa më parë dhe secili prej nesh e kupton ndryshimin e këtij ligji sado teknik që duket”, ka thënë Rrustemi, raporton “EO”.

Ndërsa deputetja e PDK-së dhe anëtarja e këtij komisioni, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si qasje ad-hoc inicimin e kësaj çështjeje, duke thënë se qasja e përshpejtuar nuk është e duhura.

Ajo ka kërkuar që në këtë proces të përfshihet shoqëria civile.

Në anën tjetër, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se me urgjenca të tilla nuk po arrihet që të hartohen ligje të duhura.

Kurse deputeti i AAK-ja, Besnik Tahirim ka thënë se trajtimi i ligjeve kërkon angazhim të plotë, derisa ka shtuar se nuk duhet të ketë situata befasuese si për Ligjin për zgjedhje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjendja e biznesit në tremujorin e katërt 2020 është e…