Vuçiç: Zelensky është i mençur, nëse e njeh Kosovën – brenda një dite humb gjithçka

08 gusht 2023 | 20:47

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka konsideruar të martën që nëse Ukraina e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ashtu siç paralajmëroi Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, Aleksandar Merezhko, ukrainasit humbin gjithçka brenda një dite.

“Imagjinoni nëse Ukraina e njeh Kosovën e pavarur – brenda një dite, ajo humb gjithçka. Kredibiliteti i plotë politik humbet brenda një dite”, ka vlerësuar Vuçiçi të martën gjatë një adresimi para popullit serb në Beograd, trasmeton rrjeti ballkanik i lajmeve në gjuhën serbe “N1”.

Kur ka komentuar deklaratën e deputetit ukrainas se në Kiev po diskutohet gjithnjë e më shumë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, shefi i shtetit serb ka thënë se “shumë më të mençur” e sheh presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, sesa deputetin Merezhko.

Nga ana tjetër, dhjetëra kryetarë të Komiteteve për Punë të Jashtme dhe deputetë të shteteve aleate i janë drejtuar me një letër të përbashkët Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në veriun e trazuar të Kosovës.

Nga kryediplomatët evropiano-amerikanë është kërkuar një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, ndërsa gjithashtu tërhiqet vërejtja se në adresimin e krizës në veriun e Kosovës, politika perëndimore duhet të udhëhiqet nga “diplomacia parandaluese” dhe “gabimet e së kaluarës”.

Megjithatë, presidenti serb ka thënë se nënshkruesit e letrës në fjalë do të dëshironin “një njeri që do ta njihte pavarësinë e Kosovës”, ndërsa ka shtuar se ndonëse letra i drejtohet formalisht vetëm atij, ligjvënësit e BE-së, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe “në thelb janë kundër Serbisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit më 28 korrik ka transferuar…