Vuçiq: Serbia nuk pajtohet me sanksionet e ShBA-së për Dodikun

06 janar 2022 | 14:28

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnje- Hercegovinës (BiH), Millorad Dodik.

Ai ka deklaruar se Serbia nuk do t’i zbatojë ato sanksione.

Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të zgjeruar sanksionesh për akte korrupsioni, e cila përfshin Millorad Dodikun, anëtarin serb të presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe kreun e partisë kryesore të Republikës Sërpska, Partisë së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD).

Me të njëjtin vendim u vendosën sanksione ndaj Televizionit Alternativ nga Banjalluka për shkak të lidhjes me Dodikun. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në presidencën e Serbisë më 6 janar, Vuçiq tha se këto janë gjëra të ndërlikuara që “nuk janë për reagim urgjent dhe të shpejtë, e sidomos jo për nxitim”.

“Serbia nuk mendon se zgjidhja qëndron në sanksione dhe nuk ka dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet për asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t’i zbatojë sanksionet kundër anëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republika Sërpska”, tha Vuçiq.

Ai tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara sjell sfida të shumta, jo vetëm për Republikën Sërpska, por edhe për Serbinë.

Vuçiq e konsideroi si të tmerrshëm vendimin për sanksione ndaj Televizionit Alternativ.

“Do të kemi shumë pyetje për administratën amerikane për disa media të tjera dhe lidhje me krimin dhe korrupsionin, të cilave duket e pamundur t’u japim një përgjigje adekuate, por këtë do ta lëmë për kohën menjëherë pas Krishtlindjeve”, tha Vuçiq.

Ai tha se është i shqetësuar për sanksionet e vendosura, por shtoi se Serbia duhet të mbajë “marrëdhënie racionale dhe të denjë” me Shtetet e Bashkuara./rel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Covid-19 nuk ka të ndalur. I fundit që ka rezultuar…