Vuçiqi betohet si president i Serbisë
Aleksandër Vuçiq është betuar sot si president i Serbisë.
Me këtë rast, ai u është drejtuar qytetarëve serbë të cilët ishin mbledhur para Kuvendit të Serbisë, duke thënë se nuk ka asnjë nder më të madh për të se sa ta udhëheq vendin “më të bukur në botë, por se këtë nuk mund ta bëja pa mbështetjen tuaj”.
Pasi u është drejtuar qytetarëve, Vuçiqi ka hyrë në Kuvendin e Serbisë për t’u betuar si president në mandatin e dytë presidencial.
“Betohem se do t’i kushtoj të gjitha përpjekjet e mia për ruajtjen e sovranitetit të gjithë territorit të Serbisë, përfshirë këtu edhe Kosovën, si pjesë përbërëse të Serbisë si dhe ushtrimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe Ligjit, duke ruajtur paqen dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Vuçiqi.
Ndryshe, më 3 prill, Vuçiqi ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve të rregullta presidenciale me 58.59 për qind të votave të përgjithshme.
Mandati i tij i parë ka nisur më 31 maj 2017, kur ishte betuat solemnisht.
Ndryshe rreth 200 serbë të Kosovë kanë udhëtuar sot në ora 04:00 të mëngjesit drejt Beogradit.
Ata janë mbledhur para objektit të Kuvendit të Serbisë, që të përkrahin Aleksandër Vuçiq, në mandatin e tij të dytë në krye të Serbisë.



