Vuçiqi dhe ambasadori amerikan pajtohen të përqendrohen në dialogun Kosovë-Serbi

23 maj 2022 | 16:56

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill janë pajtuar që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Lajmin është bërë me dije nga Presidenca serbe, pas takimit në mes të Vuçiqit dhe Hillit.

“Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme”, është thënë në njoftimin e Presidencës serbe.

Sipas njoftimit, ambasadori Hill ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin me partnerët e BE-së në drejtim të vazhdimit të dialogut, që do të sjellë rezultate konkrete.

Po ashtu, ai ka përsëritur mbështetjen e ShBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit dhe pozicionin e Uashingtonit se BE-ja duhet të zgjerohet.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve më 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiqi gjatë takimit me ambasadorin Hill ka “theksuar përpjekjet e Serbisë që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe ka thënë se “Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Ne po ashtu mbështesim nismën ‘Ballkani i hapur’ dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hill.

Nisma “Ballkani i hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Iniciatorët e “Ballkanit të hapur” deri më tani nuk ia kanë dalë që t’i bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Kjo nismë ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka asistuar të hënëm një aksion të…