
Vuçiqi thotë se dera është e hapur edhe për Kosovën që t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të enjten se “Ballkani i Hapur” i ka dyert e hapura për Prishtinën, Sarajevën dhe Podgoricën.
“Nuk mund t’i përgjigjem të njëjtës pyetje, jo se është e vështirë për mua, por më duket se kemi hyrë në thelb të problemeve të njerëzve tanë. Kemi mjaft punë dhe kujdes për t’u justifikuar para dikujt”, ka thënë ai para gazetarëve pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Më tutje, ai ka thënë për çështjen e “Ballkanit të Hapur” nuk do t’i justifikohet askujt.
“Nuk më shkon në mendje t’i justifikohem askujt për asgjë, as në BE e as në rajon”, ka thënë presidenti i Serbisë.
Më tutje, Vuçiqi ka thënë se njerëzit janë “esenca e këtij projekti, njerëzit, jo takimet dhe iniciativat”.
“Ne e konsiderojmë ‘Ballkanin e Hapur’ një iniciativë të jashtëzakonshme. Nuk është bërë për politikanë, por për njerëzit që jetojnë në Suboticë, Sarandë, në çdo qytet dhe fshat”, ka thënë Vuçiqi.