Vuniqi kërkon mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave

25 prill 2018 | 15:06

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Luksemburg, ka zhvilluar takime me zyrtarë të këtij shteti, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vuniqi është pritur në takim nga drejtoresha për punë evropiane dhe marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare të Luksemburgut, Michele Eisenbarth, si dhe nga drejtori për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtare dhe aksion humanitar, Manuel Tonnar.

Fokusi i diskutimeve në këto takime ka qenë mbështetja e Luksemburgut në rrugëtimin eurointegrues të Kosovës, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuniqi ka kërkuar nga autoritetet e Luksemburgut mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi siç iu ka thënë ajo, Kosova ka përmbushur edhe kriterin e fundit, atë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe është duke u angazhuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas Vuniqit, Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe me të drejtë pritet që shtetet e BE-së, e në këtë rast Luksemburgu të angazhohet për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në BE.

“Pas miratimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, ne presim që Komisioni të njoftojë Këshillin rreth implementimit të kritereve për liberalizimin e vizave. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi mbështetjen tuaj”, ka thënë Vuniqi.

Në takime, Vuniqi ka kërkuar mbështetjen e Luksemburgut edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe është kërkuar përkrahje edhe në aspektin e lobimit për më shumë njohje të shtetit të Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpikësi danez, Peter Madsen, është dënuar me burgim të përjetshëm…