Xhaka: Do të jetë një hap i madh nëse kthehemi në Ligën e Kampionëve

07 mars 2019 | 10:59

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka beson se kthimi i Arsenalit në Ligën e Kampionëve do të ishte një hap i madh për skuadrën pas largimit të ish-trajnerit Arsene Wenger dhe emërimit të Unai Emerys.

Wengeri u largua nga pozita e trajnerit të Arsenalit në fund të sezonit të kaluar, pas 22 vjetëve me “Topçinjtë”. Ai u zëvendësua nga Emery, i cili është në proces për ta rindërtuar skuadrën në “Emirates”. Përkundër pritshmërisë, Arsenali është në garë për ta zënë një vend në top katërshe të Premierligës, që do ta kualifikonte për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Ata janë për momentin në vend të pestë, një pikë larg Manchester Unitedit.

Xhaka, i cili luajti 90 minuta në barazimin e së shtunës, kundër rivalit të qytetit, Tottenhamit, beson se kthimi në Ligën e Kampionëve do ta dëshmonte se sa është përmirësuar Arsenali këtë sezon.

“Pas largimit të Arsene Wengerit, shumë gjëra kanë ndryshuar në klub. Ne jemi të lumtur me trajnerin dhe jemi përmirësuar shumë. Po punojmë shumë. Do të jetë një hap i madh nëse kthehemi në Ligën e Kampionëve. E duam këtë gjë. Dy herë brenda tri sezoneve të fundit nuk kemi luajtur në Ligën e Kampionëve dhe një klub si Arsenali duhet të jetë pjesë e kësaj gare. Duhet ta dëshmojnë këtë gjë edhe në fushë”, ka thënë Xhaka.

“I kemi ende nëntë ndeshje dhe jemi afër [me Manchester Unitedin]. Edhe java e ardhshme është shumë e rëndësishme. Ndeshje e madhe. Në shtëpi ne duhet t’i marrim tri pikë. Ajo që e pashë kundër Tottenhamit, shpirti i ekipit, jam shumë i lumtur dhe mendoj se nëse do të jemi kështu deri në fund të sezonit, do t’ia arrijmë qëllimit. Nuk ka të bëjë me mënyrën se si luajmë. Tani të gjithë kemi filluar të besojmë. Kjo është shumë e rëndësishme për skuadrën, për shpirtin. Çdo ditë në stërvitje, ne jemi afër dhe kjo ka shumë rëndësi për ne. Është e rëndësishme për ne dhe trajneri ynë e di që ne duhet ta marrin njërën ndër katër vendet e para sepse qëllimi është të bëhemi pjesë e Ligës së Kampionëve”, ka deklaruar Xhaka.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka uruar 7 Marsin…