Xhavit Haliti: Rusia po e përdorë Kosovën si mjet për t’i realizuar planet e veta

30 qershor 2020 | 20:11

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se Rusia po e përdorë Kosovën si mjet për t’i realizuar planet e veta.

“Synimi i saj është të gjejë zgjidhje për Kosovën jashtë planit të Ahtisarit. Rusia po kërkon me çdo kusht që zgjidhja të jetë jashtë kornizave të planit Ahtisari. Ajo nuk dëshiron normalizim të raporteve Kosovë – Serbi, por ta vendosë në tavolinë statusin e Kosovës”, ka shkruar Haliti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se “Rusia ka arritur t’i bindë disa shtete të botës, se nuk janë biseda për normalizim të marrëdhënieve, për këtë arsye disa shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”.

Sipas Halitit, politika ruse, për ta hapur nga e para statusin e Kosovës jashtë planit të Ahtisarit, do të ketë pasoja për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Edhe në rast se do të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, Rusia përsëri nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB.  Rusia do të vazhdojë ta përdorë Kosovën për planet e veta dhe për pazare me ish-republikat e Bashkimit Sovjetik”, ka deklaruar Haliti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën një i burgosur ka rezultuar pozitiv me koronavirus…