Xhirot e fundit në Superligë luhen në orarin e njëjtë

01 maj 2024 | 15:03

Superliga e Kosovës në futboll është futur në fazën vendimtare, në veçanti sa i përket luftës për titullin e kampionit.

Deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar ndërsa në garë për titullin e kampionit mbeten Ballkani, Llapi dhe Drita.

Megjithatë, terminet kanë ndryshuar për të gjitha ndeshjet e pesë xhirove të fundit.
Në të vërtetë, pesë xhirot e fundit do të zhvillohen në orarin e njëjtë, ndërsa një gjë e tillë është bërë për të ruajtur integritetin e garës deri në fund.

Deri më tani, janë zhvilluar 31 xhiro në Superligë, ndërsa në tabelë prinë Ballkani me 63 pikë të mbledhura, i ndjekur nga Llapi me 61 sosh që është në vendin e dytë, ndërsa Drita renditet e treta me 58 pikë të tubuara.

Xhiroja e radhës, do të luhet këtë vikend, saktësisht të dielën dhe të gjitha ndeshjet do të startojnë në orën 15:00.

Edhe ndeshjet e dy xhirove tjera, do të luhen në kohën e njëjtë, me xhiron e 33-të dhe 34-të, që zhvillohet të enjten, përkatësisht të dielën e ardhshme.

Për dy xhirot e fundit, ndryshon vetëm koha e fillimit të ndeshjeve por jo edhe termini, pasi të gjitha do të luhen në ditën e njëjtë.

Të dyja këto xhiro do të luhen në dy të shtunat e fundit të këtij muaji dhe do të startojnë prej orës 17:00.

Krahas garës për titullin e kampionit, interesante do të jetë edhe gara për t’i ikur barazhit, ku në luftë të ashpër janë Feronikeli e Gjilani.

Liria tashmë ka rënë në një kategori më poshtë, ndërsa kësaj rruge po shkon edhe skuadra e Fushë Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interesimi i Werder Bremenit për Ermal Krasniqin, ka bërë që…