Ymeri: E dëmshme për Kosovën të shkohet në dialog në këtë kohë

27 dhjetor 2022 | 22:28

Analisti Visar Ymeri ka thënë se e tanishmja do të ishte një kohë e papërshtatshme e njëherit, e dëmshme për Kosovën për të shkuar në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se një gjë e tillë do të ishte e dëmshme duke pasur parasysh gjendjen në Veri të Mitrovicës dhe jo vetëm.

“Është e dëmshme në mendimin tim për Kosovën të shkojë në tavolinën e bisedave të dialogut me këtë gjendje në Veri dhe me këtë shfaqje të moskontrollit që e kemi ne institucionet tona dhe në anën tjetër, në njëfarë mënyre sjellja e miqve tanë, e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë nga pak e papritur por më shumë shqetësuese për mendimin tim”, ka deklaruar Ymeri.

Krahas kësaj, sipas Ymerit, ndonëse kërkesat nuk janë bërë shumë të qarta, Qeveria serbe e ka me urgjencë çështjen e asociacionit të komunave.

“Nuk janë bërë të qarta kërkesat legjitime me aq sa kam lexu por po supozoj se ka qenë kërkesa për bashkimin e komunave me shumicë serbe dhe urgjencën e uljes në tavolinë për ta filluar procesin e themelimin e saj që i bie praktikisht që këtë luftën që e kemi pas deri tash me qeverinë në Beograd  se a duhet diskutohet asociacioni në kuadër të planit franko-gjerman apo para planit franko-gjerman deri tash bashkësia ndërkombëtare në një formë apo në një tjetër po e përkrah këtë kërkesë të Serbisë, asociacioni është urgjent dhe për planin franko-gjerman flasim kur të piqen kushtet, kjo është ajo që na është thënë në përmbledhje për Kosovën”, ka deklaruar Ymeri.

Sipas Ymerit, ajo që është thënë nga Qeveria Serbe është se veprimet e Qeverisë së Kosovës tregojnë se marrëveshja e Brukselit ka vdekur dhe sipas Ymerit nëse një gjë e tillë është e vërtetë, se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë një analizë nga fillimi për të parë nëse Kosovës i hyn në punë ta rihapë edhe njëherë këtë temë.

Nga ana tjetër, janë shënuar 18 ditë nga vendosja e barrikadave në Veri të Kosovës dhe të njëjtat, nuk janë larguar akoma.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka folur për situatën…