Ymeri: Grupi i WhatsApp-it dëshmon se LVV kishte agjendë partiake për import të energjisë, 1 miliard euro import

01 maj 2026 | 22:58

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në EURO n’T7 ka thënë se kjo qeveri kishte agjendë partiake për sa më shumë import të energjisë elektrike.

Sipas saj, kjo u dëshmua edhe me grupin e WhatsApp-it, ku pjesë e tij ishte edhe kryeministri Kurti, ministrja Rizvanolli dhe këshilltari i saj Milot Kelmendi.

“Sa i përket strategjisë për energji të kësaj qeverie, ti e ke rastin e këshilltarit të ministres Rizvanolli, Milot Kelmendi, i cili në LinkedIn prezantohet si ekspert i energjisë, klimës dhe efikasitetit energjetik. I njëjti është pjesë e grupit të WhatsApp-it të tenderit. Nuk ka pasur strategji, ka pasur agjendë partiake që i ka shtyrë gjërat nga ana zyrtare, si me ZRRE, me efikasitet, ashtu edhe nga ana e WhatsApp-it. Nëse ti hyn në tender të WhatsApp-it, atëherë je në agjendë partiake, nuk ka këtu më strategji. Aq shumë janë përzier gjërat që gjithçka të shkojë në drejtim të importit, WhatsApp-it dhe agjendës partiake, aty ku pjesë e këtij grupi është edhe Albin Kurti. Pra, ka pasur agjendë gjatë gjithë kohës për komprometim të sistemit elektroenergjetik”, ka thënë Ymeri.

Ymeri, e cila është edhe eksperte e energjisë në kuadër të LDK-së, ka komentuar edhe arsyet pse importi i energjisë elektrike përgjatë mandateve të qeverisë Kurti ka mbërritur pothuajse 1 miliard euro.

Ajo thotë se kjo shifër nuk është arritur vetëm nga shtrenjtimi i energjisë në bursa, por edhe nga rritja enorme e sasisë së importuar.

“Praktikat e huaja janë që, nëse ka një rast urgjent sikur rasti i pandemisë apo diçka e ngjashme, qeveria përfshihet në organizimin e importit të energjisë. Ndërkohë, tek ne ka ndodhur që të gjitha politikat që i ka bërë qeveria kanë ndikuar në import më të madh dhe kemi mbërritur këtë shifër”, ka shtuar Ymeri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Bedri Hamza do të jetë…