“Youtube” dhe “TikTok” ashpërsojnë rregullat

01 gusht 2021 | 13:47

Pas kritikave të organizatave për mbrojtjen e kafshëve “Youtube” dhe “TikTok” kanë ashpërsuar rregullat kundër videove të inskenuara me skena për shpëtimin e kafshëve.

Një influencer shpëton një majmun prej mbytjes së një gjarpri apo shpendi grabitqar, tjetra nxjerr mace nga ndonjë vrimë e thellë ose rikthen në det breshka uji ose kafshë të tjera ujore, gjithçka duket si heroike, por është në fakt mizori ndaj kafshëve. Sepse videot shpesh nuk janë xhirime thjesht të rastësishme, por kanë si synim të marrin sa më tepër likes dhe klikime.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve si “Peta” dhe “Lady Freethinker” kanë kohë që e kritikojnë këtë modë të rrezikshme të influencërve. Sipas hulumtimit të tyre për të prodhuar video interesante kafshët mbahen në robëri dhe keqtrajtohen. Po ashtu kafshët shpesh janë të plagosura prej zogjve grabitqarë, kurse zogjve grabitqarë u kanë prerë krahët në mënyrë që ata të mos mund të fluturojnë aq lehtë. Analiza tregoi gjithashtu se shpesh janë të njëjtat kafshë që përdoren në disa video. Kjo përcaktohet lehtë nga karakteristikat individuale të kafshëve, si pullat e lëkurës të gjarprit ose gëzofi i maceve.

Për shkak të kritikave bazuar në hulumtimet dhe analizën e videove “Youtube” ka ndryshuar rregullat dhe e ka ndaluar zyrtarisht publikimin e videove me skena të inskenuara aksionesh për shpëtimin e kafshëve. As “TikTok” nuk do t’i lejojë video të tilla. Sidoqoftë për shkak të popullaritetit të tyre të lartë, është e diskutueshme nëse platformat në fjalë do të arrijnë t’i fshijnë të gjitha videot e publikuara tashmë. Të paktën deri tani shumë nga videot mund t’i gjesh ende në “Youtube” ose “TikTok”./DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rast i veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’ është raportuar…