Zbatimi i rregullores “vetëm përmes llogarive në bankat e Kosovës”

06 shkurt 2024 | 15:03

Vetëm në euro! Kjo është përgjigjja që japin disa ekspertë të çështjeve financiare, të pyetur nga “Radio Evropa e Lirë” se cilat janë zgjidhjet e mundshme të serbëve në Kosovë për pagesa, pas ndalimit të dinarit serb.

E vetmja gjë që, sipas tyre, duhet bërë, është që t’u jepet kohë për t’u informuar dhe edukuar për hapjen e llogarive në bankat komerciale të Kosovës.

Sa i përket licencimit të ndonjë banke nga Serbia në Kosovë – ide e hedhur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – ata thonë se kjo është kompetencë vetëm e Bankës Qendrore të Kosovës.

Kjo e fundit nuk iu përgjigj interesimit të “REL”-it për këtë çështje.

Serbia, që nga paslufta më 1999, e ka përdorur monedhën e saj për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Qytetarët në komunat me shumicë serbe kanë mundur, po ashtu, të tërheqin dinarë nga bankomatet e bankave me bazë në Serbi. Në shumicën e dyqaneve edhe çmimet kanë qenë të ekspozuara në dinarë.

Por, nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon një praktikë të tillë, përkatësisht e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.

Vendimi ka bërë që disa qytetarë serbë, të anketuar nga “REL”-i, të shprehen të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me pensionet, rrogat dhe pagesat tjera që i marrin nga shteti i Serbisë.
Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.

Megjithatë, rregullorja e saj ka nxitur reagime të furishme nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos ShBA-ja, e cila ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj.

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm t’i adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet për dinarin, BQK-ja, e kontaktuar nga “REL”-i, ka thënë: “BQK-ja nuk ka ndonjë kërkesë të re lidhur me rregulloren në fjalë dhe e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, duke dhënë me kohë dhe në respekt të plotë argumentet e saj ligjore”.

BQK-ja është shprehur po ashtu e gatshme që të angazhohet në bisedime me institucionin homolog në Serbi në lidhje me këtë çështje, por Banka Popullore e Serbisë ka kërkuar zgjidhje me dialog politik.

Çka thonë ekspertët?

Vendimi i BQK-së është i drejtë, thotë Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë në një kolegj privat në Prishtinë, por jo në kohën e duhur.

Sipas tij, qytetarët serbë nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u informuar, andaj zbatimi duhet të shtyhet për ca kohë.

“BQK- ja duhet të punojë dhe t’i informojë qytetarët serbë, t’i sensibilizojë që të hapin llogari bankare në bankat komerciale në Kosovë”, thotë ai për “Radion Evropa e Lirë”.

Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës parasheh vetëm një monedhë për pagesa të gatshme në Kosovë, por krahas euros, në komunat me shumicë serbe ka vazhduar të përdoret edhe dinari.

BQK-ja e ka publikuar rregulloren e re më 17 janar dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Milazim Abazi, njohës i çështjeve financiare në Kosovë, thotë se kjo periudhë nuk ka qenë e mjaftueshme. Pezullimi i zbatimit të saj deri në 45 ditë do të ishte i mjaftueshëm për informimin e duhur të qytetarëve serbë, thotë ai.

“… për ta kuptuar se nuk ka asgjë kundër tyre, është në të mirën e tyre dhe të hapin llogari në euro, por edhe në dinarë në bankat e licencuara në Kosovë”, thotë Abazi.

Ai shpjegon se procedurat për hapjen e llogarive bankare janë të shpejta dhe mund të bëhen edhe online.

Qytetarët, më pas, këto llogari mund t’i dërgojnë në institucionet e Qeverisë së Serbisë, nga të cilat përfitojnë paga, pensione apo ndihma sociale, thotë ai.

Për mundësinë e licencimit të ndonjë institucioni bankar nga Serbia, ai thotë se kjo është kompetencë e BQK-së dhe se BQK-ja i paracakton kushtet.

“BQK-ja mund të licencojë dhe mund të refuzojë. Nuk ka rëndësi se a është nga Serbia apo ndonjë shtet tjetër, mjafton që të jetë bankë kredibile, me aksionarë kredibilë dhe të besueshëm. Por, nuk guxon të jetë bankë shtetërore e asnjë vendi dhe transaksionet duhet të jenë vetëm në valutën euro”, thotë Abazi.
Qeveria e Kosovës ka siguruar se do të kujdeset për një “tranzicion të lehtësuar” nga dinari në euro, duke bërë që qytetarët “të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”.

Por, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka cilësuar vendimin e BQK-së si mjet për dëbimin e serbëve nga Kosova.

A kanë bankat komerciale degë në komunat e banuara me shumicë serbe?

Në Kosovë operojnë njëmbëdhjetë banka komerciale.

Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogari bankare, kredi, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garanci bankare, letër-kredi dhe e-banking.

“Radio Evropa e Lirë” pyeti shumicën prej tyre se a kanë degë apo bankomate në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe, deri më tash, vetëm Banka Raiffeisen tregoi se ka degë në: Mitrovicë të Veriut, Bërnjak, Jarinjë, Graçanicë dhe Shtërpcë.

Të tjerat nuk u përgjigjën, por nga ueb-faqet e tyre zyrtare vërehet se shumica nuk kanë degë dhe bankomate në ato zona.

Në ueb-faqet e Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Ekonomike, TEB Bankës, ProCredit Bankës, Bankës për Biznes nuk figuron se kanë ndonjë degë në këto komuna që gjenden në veri dhe jug të Lumit Ibër.
Ndërsa, NLB Banka ka degë dhe bankomate në Mitrovicë të Veriut, Shtërpcë dhe Graçanicë.
Pak ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se në bankat e licencuara në Kosovë janë 33 mijë llogari bankare në emër të qytetarëve serbë. Ata janë kryesisht pensionistë, familje në gjendje të rëndë sociale dhe lehona që marrin pensione dhe ndihma nga shteti i Kosovës në valutën euro.

Si kanë hyrë dinarët në Kosovë?

Për vite me radhë, dinarët kanë hyrë në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.

Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.
Disa ia kanë vënë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.
Dogana, ashtu si edhe Inspektorati i Tregut janë zotuar se janë të gatshëm ta monitorjnë zbatimin e rregullores.

Serbia ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e dinarit.

Por, kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi kosovar Albion Rrahmani ka nisur ta rikthejë formën e…