Zbehen shpresat për të gjetur të mbijetuar nga tërmetet në Turqi dhe Siri

10 shkurt 2023 | 10:38

Tërmeti që goditi rajonin pranë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, tashmë ka marrë jetën e më shumë se 21 mijë personave. Ky rajon është shtëpi e 13.5 milionë njerëzve.

Ekipet e kërkim-shpëtimit bënë përpjekjet e fundit gjatë natës të së enjtes për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Pamje të realizuara me dronë nga lartësia shfaqën shkatërrimin e lënë pas, me lagje të tëra të rrafshuara.

Shifra e re, e cila me siguri do të rritet, përfshin mbi 17.600 njerëz të vdekur në Turqi dhe më shumë se 3.300 në Sirinë tashmë të shkatërruar nga lufta civile. Gjithashtu, dhjetëra mijëra njerëz u lënduan.

Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar në temperaturat e ulëta, po zbehen, raporton rel.

Ndërsa ekuipazhet e emergjencës dhe të afërmit në panik gërmuan nëpër rrënoja – dhe herë pas here gjenin njerëz të gjallë – fokusi filloi të zhvendosej në prishjen e strukturave të rrezikshme të paqëndrueshme.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan, e quajti tërmetin “fatkeqësia e shekullit”.

Në veriperëndim të Sirisë, gjatë natës, të enjten më 9 shkurt, mbërritën kamionët e parë të OKB-së që kur ndodhi tërmeti që hynë në zonën e kontrolluar nga rebelët nga Turqia, duke nënvizuar vështirësinë për t’u ndihmuar njerëzve atje.

Numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 7.8 shkallësh i së hënës, kaloi numrin e më shumë se 18.400 të vdekurve nga tërmeti i vitit 2011 që shkaktoi një cunami në Fukushima, Japoni, si dhe tërmetin e vitit 1999 pranë kryeqytetit turk, Stamboll, që u mori jetën rreth 18 mijë personave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkruar për…