Zbulohen eshtrat e 29 viktimave të lidhura me tela në një varr masiv në Zagreb
Një varr masiv me eshtrat e të paktën 29 viktimave është zbuluar në zonën Oporovečki vinogradi në Dubravë të Zagrebit, kanë njoftuar autoritetet kroate.
Sipas Ministrisë së Veteranëve Kroatë, viktimat dyshohet se janë ekzekutuar në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore, ndërsa të gjitha trupat e zhvarrosur kishin gjurmë lidhjeje me tela dhe shenja plagësh nga armë zjarri.
Hetimet paraprake tregojnë se viktimat ishin burra të moshës 30 deri në 40 vjeç, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat antropologjike për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tyre.
Ministria kroate deklaroi se ky është një tjetër dëshmi e ekzistencës së vendeve të fshehura të varrimeve nga periudha e pasluftës, duke theksuar se kërkimet do të vazhdojnë në mënyrë profesionale dhe humanitare.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dhjetë viteve të fundit në Zagreb janë zbuluar 17 varre masive me më shumë se 525 viktima të zhvarrosura.



