Zbulohet një lloj i ri për faunën e Kosovës

12 mars 2019 | 10:36

Në kuadër të procesit për hartimin e Librit të Kuq të Faunës së Kosovës, që po realizohet në kuadër të Programit Mjedisor për Kosovën KEP2016, në mesin e  shumë llojeve të rralla dhe të rrezikuara të faunës, është zbuluar edhe një lloj i kërmillit që për herë të parë përmendet në listën e llojeve shtazore të Kosovës. 

“Lloji i kërmillit Vertigo moulinsiana është gjetur në zonat e përmbytura  të lumit Lepec në fshatin Drekovc të Ferizajt,  në një ekosistem të livadheve me lagështi i rrethuar me toka të punës dhe pyje te plepit”, është bërë me dije në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Bëhet me dije se lloji i kërmillit Vertigo moulinsiana për herë të parë është përshkruar nga Dupuy në vitin 1849, është një lloj indikatorë i zonave të Natura 2000, dhe sipas burimeve të deritanishme nga hulumtimet e realizuara në Kosovës, nuk ka qenë i identifikuar më herët në vendin tonë.  

Sa i përket shkallës së rrezikueshmërisë në nivel Evropian, sipas kategorizimit nga Unioni Ndërkombëtarë i Konservimit të Natyrës (IUCN), lloji është vlerësuar se i takon kategorisë “I përkeqësuar” (Vulnerable A2ac).

“Lloji është identifikuar gjatë hulumtimeve të realizuara në Kosovë nga ekspertët hungarez  Zoltán Fehér, Tamás Deli dhe Zoltán Péter Erőss, në bashkëpunim me ekspertin nga Kosova Halil Ibrahimi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Prishtinës, si pjesë e hulumtimeve për hartimin e Librit të Kuq të Faunës së Kosovës, që po realizohet nga Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në kuadër të komponentës së dytë të Programit Mjedisor për Kosovën KEP2016″, thuhet në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se…