Zbulohet pllaka përkujtimore e deputetit të Lidhjes së Prizrenit, Sefer Kleçka

28 nëntor 2018 | 12:48

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, në Carallukë të Malishevës është zbuluar pllaka përkujtimore, e Sefer Kleçkës, deputet i Lidhjes së Prizrenit, Junikut si dhe komandant i Drenicës së Jugut dhe udhëheqës i luftës së Caralevës.

Pllaka përkujtimore është zbuluar me rastin e 90-vjetorit të rënies së tij së bashku më të birin Bardhecin në Carallukë të Malishevës.

Në përurimin e kësaj pllake përkujtimore kanë marrë pjesë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, përfaqësues të institucioneve qendrore, familjarë dhe qytetarë.

Biografia e Sefer Nezirit- Kleçka:

Luftëtari Sefer Neziri, i njohur me emrin Sefer Kleçka, lindi më 1853 në Kleçkë të Drenicës së Jugut. Qysh në moshën 25-vjeçare mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Bashkëpunoi ngushtë me Isa Boletinin, Xhem Luzhnicën dhe me udhëheqës të tjerë të Drenicës së Jugut. Tregoi trimëri të rrallë në luftën e Boletinit në maj 1895, kundër osmanlinjve.

Ky luftëtar i lirisë, nga viti 1899 e përfaqësoi Drenicën e Jugut në të gjitha kuvendet shqiptare. Ishte nga organizatorët kryesorë të kryengritjes popullore të Drenicës më 1903 kundër Turqisë.

Në vjeshtë të vitit 1909, Sefer Kleçka organizoi kryengritjen popullore në Drenicën e Jugut dhe i rrafshuan kullat e armiqve në Grykën e Krivovës, kurse në kryengritjen e muajit prill 1910 shtëpia e këtij atdhetari në Kleçkë u bë qendër strehimi për komandën kryengritëse, që drejtohej nga Isa Boletini.

Në muajin maj 1910, Sefer Kleçka, në luftimet e Carralevës kundër turqve, u tregua udhëheqës dhe organizator i shquar.

Në mbledhjen e Sadllarit, që u organizua nga patrioti Hasan Prishtina, ishte nga të parët që kërkoi të mbyllet shkolla turke dhe të çeleshin shkolla në gjuhën shqipe.
Luftëtari i shquar i Drenicës së Jugut mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme për pavarësi më 1912.

Ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut në maj 1912 dhe më vonë, në Sankovë dhe Harilaç, nën kryesinë e Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit.

Edhe mbas vendosjes së pushtetit shovinist serb e malazez në Kosovë në tetor 1912, Sefer Neziri me shokë e vazhdoi luftën për liri.

Të dy trimat atë e bir, i vranë fillim të muajit korrik 1928. Për një kohë të gjatë varret e këtyre dy patriotëve nuk diheshin, sepse autoritetet serbe i mbanin të fshehta.
Histori e shkurtër marr nga Libri Bijtë e Shpatës Shqiptare, Botimi 3, faqe 61-65 – Mexhit Kokalari.

Për ruajtjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj varrit të këtij heroi janë kujdesur fshati Carallukë dhe Mahalla e Zymeravitëve në veçanti, për çka pasardhësit e Sefer Kleçkës u janë përjetë mirënjohës.

Seferi me të birin Bardhecin tashmë gjinden dhe pushojnë të qetë në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, së bashku me heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e…