Zëdhënësi i BE-së: Kosova ka të drejtë të heqë targat “KM”

30 qershor 2022 | 22:45

Bashkimi Evropian mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave KM dhe regjistrimin e tyre me tabelat RKS.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Brukseli ishte i informuar, por jo i konsultuar në fillim të kësaj jave për planet e Prishtinës zyrtare mbi targat dhe lirinë e lëvizjes.

Në një deklaratë me shkrim për Tanjug, ai thotë se sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë që gradualisht të heqë targat KM.

“Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, tha Stano.

Ai shton se është e rëndësishme të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe se ai përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.

“Liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. Ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim dhe të mos vendosin pengesa të paarsyeshme që kufizonte lirinë e lëvizjes,” tha Stano.

Në emër të BE-së, Stano përsëriti thirrjen e tij ndaj të dyja palëve për të përdorur dialogun e udhëhequr nga BE-ja si një platformë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.

“BE pret që Kosova dhe Serbia të ushqejnë një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.

Ky është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, gjë që palët duhet të fokusohen tani,” tha Stano.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë…