Zëdhënësi i LV-së: Do ta ndryshojmë ligjin, mërgata të votojë në ambasada dhe konsullata

22 shkurt 2021 | 11:17

Derisa Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është duke vazhduar me numërimin e shumë prej votave të zgjedhjeve nacionale të mbajtura më 14 shkurt, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, është deklaruar lidhur me këtë proces.

Sipas tij, numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kryeziut:

Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.

E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.

Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë.

Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani dhe Llapi të dielën kanë marrë nga tri pikë…