Zeka: PDK-ja iniciatore e taksës, do të ketë edhe masa të tjera ndaj Serbisë

12 janar 10:57

Taksa 100% e vendosur për produktet serbe dhe ato të Bosnjës ka ngjallur debat brenda dhe jashtë vendit. U tha se ideja për vendosjen e taksës ka qenë e zv. kryeministrit Enver Hoxhaj e përkrahur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe si e tillë i është prezantuar qeverisë.

Ndërkaq edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka i ka thënë se ideja për vendosjen e taksës ka qenë ide e PDK-së dhe si e tillë do të përkrahet derisa Serbia të tregoj gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën.

“Qëndrimi i PDK-së në këtë drejtim është i prerë në këtë drejtim, sepse edhe vet kemi qenë iniciues të taksës 100%, duke u nisur nga kryetari Veseli. Ka qenë 30%, kurse ne kemi kërkuar 100% dhe kështu është arritur, kemi qëndrim konsekuent në këtë çështje”, tha ai, për Ekonomia Online.

“Por megjithatë duhet të kuptohet që ne jemi shtet dhe asgjë nuk është Bibël as Kuran, nëse Kosovës i plotësohen kushtet, kriteret dhe nevojat në raport me Serbinë, do të vije një moment sigurisht që duhet të rishikohet, por megjithatë për momentin Serbia nuk po tregon gatishmërinë kështu që taksa do të mbetet”.

“Si proces ideja ka qenë e Enver Hoxhës dhe më pas është diskutuar me kryetarin Veseli, normalisht si procedurë i takon normalisht ministrisë së Tregtisë procedohet në Qeveria, më pas Qeveria duhet ta miratojë dhe në momenti që e aprovohet e nënshkruan kryeministri. Por kjo nuk paraqet diçka që ne duhet të bëjmë debat, por e rëndësime është që taksa ka pas efektin e vet”.

Ai ka thënë se ideja që të vrapojnë pas bajrakut se kush e ka bërë taksën është absurde.

“Të gjithë që nga viti 2000 është dashur që të bojkotojmë produktet, pa marrë vendim shteti hiq. Duhet të ishim në atë nivel që mos te kishim lejuar që mallrat e Serbisë të  mos jenë në Kosovës. Pse kemi lejuar që të merret vendim,kur ka qenë e thjeshtë të bojkotohen produktet, tash hajde të marrim masa të tjera. Masa deri në plotësimin e detyrimeve të Serbisë ndaj Kosovës qoftë njohja qoftë marrëveshjet që janë arritur deri tani”.

“Nuk jam prej ithtarëve që të luftojmë pas bajrakut të del cili e ka pasë idenë, cili e ka vazhduar idenë, cili e ka nënshkruar, këto janë absurde, të mendimit ballkanik. Janë më rëndësi vendimet. Ky është mentalitete që na ka lënë mbrapa”, tha ai.

Ai tutje ka shtuar se përveç taksës Kosova do të ndërmarr edhe sanksione ë tjera, duke vendosur kështu masa edhe për automjetet.

“Bile-bile unë jam kategorik që në këtë fazë përveç taksës t’i vendoset masë edhe për automjetet. Ne veç e kemi përgatitur gjithë dokumentacionin që edhe veturat prej Serbisë të mos mund të qarkullojnë. D.m.th të jetë një aspekt reciprok që qysh të vepron shtetit serb ndaj shtetasve të Kosovës të veprojmë edhe ne ndaj tyre”.

“Jo veç në këtë aspekt, por në të gjitha segmentet e jetës jam për të shikuar dhe për t’i treguar Serbisë se Kosova është shtet që vendos vet për hapat e vet. Por unë nuk jam prej atyre që them kurrë kurrë nuk bëhet kjo sepse në politikë gjërat lëvizin, sepse përveç lëvizjes interesat tona kanë një vijë me shtetin amerikan dhe natyrisht unë jam ithtar i ndjeshmërisë amerikane, dhe bashkë me ta të vendosim për hapat e mëtutjeshëm”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar në 35-vjetorin…