Zelensky: Erdogan duhet të mbajë qëndrim, ose me Ukrainën ose me Rusinë

02 maj 2022 | 20:14

Në një intervistë për televizionin shtetëror grek, ERT, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Turqia duhet të zgjedhë se me kë është në konfliktin ruso-ukrainas.

Ai gjithashtu ka thënë se vlerëson rolin e Turqisë si ndërmjetëse në negociatat me Rusinë, por në të njëjtën kohë tha se Erdogan duhet të mbajë një qëndrim më të qartë se kë mbështet në këtë konflikt.

“Kur jeni në luftë, duhet të bëni më të mirën për të bashkuar shtetet rreth jush, madje edhe ato që historikisht kanë pasur marrëdhënie të vështira. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i pasur të gjitha këto shtete në anën tonë, sepse Ukraina ka nevojë për partnerë dhe miq. Përndryshe nuk do të mund ta mposhtim Federatën Ruse që na sulmoi. Unë do të jem plotësisht i sinqertë me ju, për shembull, ne kemi mbështetjen e Turqisë dhe kemi mbështetjen e Greqisë.

Unë do t’ju them sinqerisht se kemi pyetje si për Turqinë ashtu edhe për Greqinë. Kjo është jeta dhe çdo shtet ka interesat e veta. Nga ana tjetër, ne kemi mbështetjen e qeverisë, të udhëheqjes shtetërore dhe këtë ndihmë e kemi marrë. Unë jam mirënjohës për këtë. Këtu jemi. Do të doja që të gjithë në Greqi të na mbështesin, do të doja që ata të zgjidhnin anën tonë, çfarëdo që të ndodhte, kryesorja është që tani kemi mbështetjen. Dhe më e rëndësishmja është që njerëzit e Greqisë na mbështesin dhe unë jam mirënjohës për këtë.

Nga ana tjetër, kuptoj që në Greqi një pjesë e madhe e të ardhurave buxhetore vijnë nga turizmi. Sigurisht, turizmi rus ka sjellë shumë para në Greqi për shumë vite. Ne besojmë se ata fitojnë para duke derdhur gjak dhe ato para shpenzohen.

E njëjta gjë vlen edhe për Turqinë. Nga njëra anë, Turqia vepron si ndërmjetëse dhe mbështet Ukrainën me hapa të rëndësishëm, dhe nga ana tjetër, shohim, për shembull, përgatitjen e disa rrugëve turistike në të njëjtën kohë. Sidomos për turizmin rus. Këtë e shohim edhe ne. Dhe unë si President, nëse duam të kemi marrëdhënie miqësore, duhet të them këtë, se nuk është e mundur. Nuk mund ta trajtosh në këtë mënyrë, është standard i dyfishtë. Kjo nuk është e drejtë. Prandaj tërheq vëmendjen e Turqisë për mundësi të tilla, besoj se nuk mund të jetë kështu, sepse duhet bërë një zgjedhje – jeni pro të vërtetës apo jo?”, tha Zelensky.

Nesër presidenti ukrainas do t’i drejtohet me një fjalim parlamentit të Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm pak ditë para nisjes së pushtimit të Ukrainës, më…