Zelensky në Londër kërkon avionë modernë

08 shkurt 2023 | 15:24

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka thënë ligjvënësve britanikë të mërkurën se do të bënte gjithçka që mundej për ta bindur botën që t’i siguronte Ukrainës avionë modernë, për t’i ndihmuar forcat e tij të mposhtin Rusinë.

“Ne do të bëjmë gjithçka të mundur dhe të pamundur për ta bërë botën të na sigurojë avionë modernë për të fuqizuar dhe mbrojtur pilotët që do të na mbrojnë”, u ka thënë Zelensky qindra ligjvënësve në sallën Westminster të Londrës.

Ai i është referuar monarkut britanik, Mbretit Charles, i cili është pilot i trajnuar i avionëve luftarakë, dhe duke thënë se të gjithë pilotët luftarakë në Ukrainë trajtohen si mbretër, “sepse ne kemi kaq pak të tillë, prandaj ata janë shumë të çmuar për ne”.

Britania ka njoftuar për dërgesat e menjëhershme ushtarake, që t’i ndihmojë Ukrainës në luftën kundër forcave ruse, dhe është zotuar se do të trajnojë pilotët, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është takuar në Londër me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, raporton “Rel”.

Vizita në Londër është e dyta e Zelenskyt jashtë vendit që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit të tij më 24 shkurt. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai ka realizuar vizitën e parë jashtë vendit, përkatësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të enjten, Zelensky pritet të udhëtojë për në Bruksel, ku do të mbahet një samit i Bashkimit Evropian.

Në nisje të takimit me Sunakun, Zelensky e ka falënderuar Britaninë për mbështetje të shtetit të tij “që nga dita e parë e pushtimit në shkallë të gjerë”.

“Faleminderit shumë, ne jemi krenarë, vërtet, dhe kemi raporte shumë të mira me Rishin”, ka thënë Zelensky.

Takimi ndërmjet dy liderëve ishte i shkurtër.

Britania, që ka punuar me trupat ukrainase, ka thënë se do të ofrojë trajnime shtesë në mënyrë që pilotët ukrainas të jenë në gjendje që në të ardhmen t’i pilotojnë “avionët luftarakë, të sofistikuar, me standarde të NATO-s”, duke shtuar se kjo ishte “pjesë e investimit afatgjatë në ushtrinë e tyre”.

Sunak ka thënë se vizita e Zelenskyt në Britani është testament i “kurajës së Ukrainës, vendosmërisë dhe luftës, si dhe i miqësisë së pathyeshme ndërmjet dy shteteve tona”.

“Jam shumë i lumtur që sot ne do të zgjerojmë trajnimet nga ushtarët te marinsat dhe te pilotët e avionëve luftarakë, duke siguruar që ushtria ukrainase të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj mirë në të ardhmen”, ka thënë ai.

Zelensky pritet të takohet edhe me Mbretin Charles.

 

Gjatë kësaj vizite, Britania po ashtu do të njoftojë për sanksione të reja që shënjestrojnë individë dhe kompani “që po përfitojnë nga makineria e luftës së Kremlinit”.

 

Zelensky u ishte adresuar ligjvënësve britanikë në marsin e vitit të kaluar, përmes video-lidhjes nga Kievi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazmend Hoxha ka dalë i pari me pikë në konkursin…