Zelensky: Rusia po kryen terror në Mariupol

20 mars 2022 | 08:23

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka hyrë në ditën e sajtë 25-të. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në reagimin e tij të fundit ka theksuar se sulmet ruse ndaj qytetit të rrethuar të Mariupolit janë “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.

Përmes një videomesazhi të publikuar në orët e para të së dielës, Zelensky është shprehur se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.

“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka bërë me dije për të gjithë ukrainasit se negociatat me rusët nuk janë “as të thjeshta, as të këndshme, por janë të nevojshme”.

Në adresimin e tij drejtuar kombit, presidenti ukrainas tha se të shtunën ka biseduar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, lidhur me kursin e bisedimeve me Rusinë.

“Ukraina gjithmonë ka kërkuar zgjidhje paqësore. Për më tepër, ne jemi të interesuar për paqe tani”, është shprehur presidenti ukrainas.

Qyteti-port i Mariupolit është rrethuar nga trupat ruse dhe banorët e mbetur të bllokuar kanë mungesa të mëdha të ujit dhe ushqimit, teksa janë përballur me bombardime të vazhdueshme. Të shtunën u raportua se trupat ruse kanë depërtuar brenda qytetit dhe se pati luftime edhe në qendër të këtij qyteti.

Autoritetet lokale në Mariupol kanë thënë se disa mijëra banorë të këtij qyteti janë dëbuar në territorin rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inteligjenca britanike ka bërë me dije se Rusia ka mundësi…