Zelensky shkarkon rekrutuesit e ‘korruptuar’ të ushtarëve

11 gusht 2023 | 16:45

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, ka bërë me dije të premten se janë shkarkuar të gjithë oficerët rekrutues të ushtarëve në vend, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ky vendim është marrë pas takimit që ai kishte me Këshillin Kombëtar për Mbrojtje dhe Siguri, ku temë kryesore ishte inspektimi i “komisarëve ushtarakë”.

Është gjetur se shumica e këtyre të fundit kanë qenë të përfshirë në raste të rënda të korrupsionit, prej fillimit të luftës e këndej.

Autoritetet kanë iniciuar 112 procedura penale ndaj zyrtarëve që kanë rekrutuar ushtarë nëpër gjithë Ukrainën, me dyshime se gjatë përzgjedhjes së tyre janë bërë mashtrime të shumta, duke u mundësuar shumë prej tyre t’i shmangen shërbimit ushtarak, në këmbim të parave ose përfitimeve tjera.

“Disa morën kesh, e disa kriptovaluta. Kjo është e pafalshme. Ne po i shkarkojmë të gjithë komisarët ushtarakë rajonalë. Ky sistem duhet të udhëhiqet nga njerëz që e dinë saktësisht se çfarë është lufta dhe që e dinë se cinizmi dhe ryshfeti në kohë luftë përbëjnë tradhti”, ka thënë Zelensky.

Skandali me rekrutuesit e ushtarëve është ndër më të mëdhenjtë që ka goditur Ukrainën, prejse ky vend është në luftë me Rusinë, e cila e pushtoi atë më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
14.08.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Gjilan 1.…