Zemaj bën thirrje për respektim të masave anti-Covid

04 mars 2021 | 14:32

Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike kundër Covid-19, ka kërkuar të enjten mirëmbajtjen e masave në fuqi kundër Covid-19 dhe respektimin e tyre të plotë.

Në takimin e këtij Komiteti të drejtuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u kërkua nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse që ta rrisin angazhimin për respektimin rigoroz të masave në fuqi, përballë një rritjeje të numrit të infektuarve gjatë kësaj jave, përderisa ditën e premte do të bëhet kategorizimi i ri i komunave sipas zonave (e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër), bazuar në numrin e rasteve të Covid-19 brenda intervalit kohor prej një jave.

Ministri Zemaj ka thënë se situata me Covid-19 në Kosovë tregon për një rritje të rasteve javën e fundit për 26.8 për qind.

“Para çfarëdo ashpërsimi të masave, apeloj sot tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19”, ka thënë Zemaj.

Në situatën në të cilën ndodhemi, Zemaj ka thënë se është e domosdoshme që në mënyrë strikte të respektohen nga të gjithë masat: distanca fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Dua të falënderoj personelin shëndetësor, ekspertët tanë, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, tërë pjesëmarrësit në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës, shtetet mike, organizatat globale shëndetësore dhe rajonale, donatorët vendorë e ndërkombëtarë, ambasadat dhe tërë personelin e angazhuar në zbatim të ligjit brenda dhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Zemaj ka thënë se e vetmja rrugë kundër virusit aktualisht është parandalimi. “Parandalimi deri më tani pati sukses. Duhet ta vazhdojmë disiplinën. Ka vonesa për furnizim me vaksina, si pasojë e kërkesave të mëdha në tregun ndërkombëtar dhe si pasojë edhe e mos realizimit të zotimeve edhe nga mekanizma ndërkombëtar apo shtyrje të përmbushjes së zotimeve”, ka thënë ai.

Ministri Zemaj ka pohuar se një nga rrugët e sigurimit të këtyre vaksinave është edhe ajo nëpërmjet të mekanizimit COVAX, e cila në fillim të shkurtit kishte publikuar intinerarin e shpërndarjes së vaksinave për shtetet përfituese ku ishte edhe Kosova, duke vendosur shkurtin si afat të fillimit të alokimit, por që u shty.

“Së fundi, ky mekanizëm ka publikuar orarin e të alokimeve dhe listën e shteteve përfituese për periudhën shkurt-maj 2021 dhe Kosova është listuar në mesin e atyre vendeve që gjatë kësaj periudhe do të përfitojë 100.800 dozat e para. Kjo nuk nënkupton se kemi hequr dorë edhe prej iniciativave dhe marrëveshjeve apo pajtimeve që vaksinën ta sigurojmë edhe në rrugë të tjera, por vonesat kanë ndodhur përtej parashikimeve për shumë arsye”, ka deklaruar Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë filluar punimet në ndërtimin e trotuarit në fshatin Shkozë…