Zemaj: Peja është në prioritetin tim, do t’i ofrohet ndihma logjistike për shëndetësinë

04 korrik 2020 | 15:59

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ka vizituar Pejën dhe spitalin rajonal të kësaj komune. Ai u takua me kryetarin Gazmend Muhaxherin, me të cilin diskutoi për rreziqet nga koronavirusi.

“Shpalosëm pikëpamjet se si të zvogëlohet sa më shumë ky rrezik që po kanos shëndetin e qytetarëve, sikurse për projektet që do të realizojmë në të ardhmen. U dakorduam që shtabi emergjent të vazhdojë të jetë në gatishmëri, të decentralizohen shërbimet shëndetësore (e të mos jenë vetëm në nivel qendror), sikurse inspektorati të jetë aktiv maksimalisht që të ndikohet e të respektohen rregullat anti-Covid-19”.

Përveç bashkëpunëtorëve të tij, Zemaj u shoqërua edhe nga Naser Ramadani, drejtori i IKSHP-së dhe nga deputeti Shkumbin Gashi.

“Konfirmova se Peja do të jetë në prioritetin e angazhimit tim, dhe do të mbështetën disa projekte të caktuara, e do të ofrohen ndihma logjistike për shëndetësinë në këtë komunë”.

“Në Spitalit e Përgjithshëm të Pejës pata një vizitë njohëse ku takova stafin menaxherial dhe matelbardhët e angazhuar në misionin e tyre të shenjtë për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe shëruar pacientët. Biseduam për shqetësimet aktuale që ka shkaktuar pandemia, rreth infrastrukturës së spitalit, ofrimit të shërbimeve shëndetësore që u ofrohen qytetarëve jo vetëm të komunës së Pejës, por tërë Rrafshit të Dukagjinit (Istogut, Klinës, Deçanit, Junikut), edhe banorëve të brezit kufitar të Malit te Zi dhe Komunave veriore të Shqipërisë”.

“Përshpejtimi i inicimit të specializimeve të reja të mjekëve, ishte njëra ndër kërkesat që u shtrua gjatë bisedës, meqë rast sqarova se këto ditë po angazhohem në përgatitjet e procedurave që kjo të konkretizohet pa vonesa. Vizitova edhe Klinikën Emergjente dhe Infektive.
Sigurova gatishmërinë time për bashkëpunim të afërt me stafin mjekësor dhe menaxherial të spitalit dhe se do të marr në konsideratë të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet që adresohen. Me këtë rast u bë dhe pranim-dorëzimi i modelit të ri të autoambulancës me të gjitha pajisjet përkatëse, që është donacion nga pjesa e asistencës së BE-së për përgjigje ndaj Covid-19, e cila do të jetë në shërbim të pacientëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Formula 1 ka njoftuar se nuk ka dalë asnjë rast…