Zemaj: Situata në spitale është stabile

27 tetor 2020 | 11:26

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë me dije se situata në spitalet në Kosovë është stabile.

Ai ka thënë se për shkak të situatës epidemiologjike të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm.

Këto komente ministri Zemaj i bëri pas një takimi me drejtorët e përgjithshëm të spitaleve dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, raporton “Epoka e re”.

“Tash për tash, situata në spitalet tona është stabile, por, jemi të vëmendshëm. Përkujdesja shëndetësore nuk guxon të mungojë, për shkak të virusit. Asnjë kufizim i trajtimit të pacientëve nuk mund të bëhet në spitale e as QKUK”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet.

“Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty. Llogaridhënia me transparencën janë të pandashme në punën tonë ditore, ky është edhe detyrimi i secilit menaxher e drejtues në sektorin publik”.

“Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar. Kemi shtuar edhe 200 mjekë si dhe 375 staf mbështetës të fushave të ndryshme, ndërsa në specializime edhe rreth 1500 mjekë të tjerë”, ka thënë ministri Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ne të vërtetë mund t’i quajmë vitet ’90 si epoka…