Zëri ‘që duhet dëgjuar’ në dialogun me Serbinë

18 nëntor 2020 | 16:57

Për Vasfije Krasniqi-Goodman është e pakuptimtë se si delegacioni i Kosovës deri më tani nuk e ka hapur në dialogun e Brukselit, temën e rasteve të përdhunimeve që serbët kanë kryer në Kosovë.

Krasniqi-Goodman është gruaja e parë e cila ka treguar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”, ajo ka thënë se në dialogun e Brukselit vazhdon të mungojë zëri për drejtësinë e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë dhe sipas saj, Kosova nuk guxon të lejojë që çështja e përdhunimeve të kalojë pa u trajtuar në dialog.

“Ne jemi dëshmitarë se tani në Bruksel diskutohet për të pagjeturit. Është dashur mbi 20 vjet që tema e të pagjeturve të diskutohet, e kjo nënkupton se ne ndoshta duhet pritur edhe shumë vite që të hapet tema për përdhunimet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kjo çështje duhet të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Krasniqi-Goodman thekson se gjatë procesit të dialogut, veç diskutimit të çështjes, duhet të kërkohet që kryerësit e krimeve të dalin para drejtësisë.

“Kryesit e këtyre krimeve të ndiqen penalisht, qoftë duke i dorëzuar tek organet e drejtësisë në Kosovë apo edhe duke i gjykuar përmes një procesi të drejtë dhe të monitoruar nga organizata ndërkombëtare, kur dihet se Serbia nuk do të pranojë t’i dorëzoi tek organet e drejtësisë në Kosovë. Serbia është përgjegjëse për përdhunimet e ushtruara në mënyrë sistematike, ajo mbetet dhe duhet mbajtur si shkaktare-përgjegjëse shtetërore dhe si e tillë ajo duhet të përgjigjet përmes reperacionit për dëmet e shkaktuara”, është shprehur ajo në një përgjigje me shkrim për “Rel”.

E për të arritur deri te një sukses i tillë, ajo mendon se në ekipin kosovar duhet të ketë të përfshirje edhe ndonjë nga zërat e fuqishëm që e njohin për së afërmi këtë kategori.

“Besoi që zëra të tillë ka mjaftueshëm”, ka thënë ajo.

Qeveria pa përgjigje

“Radio Evropa e Lirë” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës për të treguar se a do të hapet në bisedime me Serbinë çështja e përdhunimeve që serbët i kanë kryer në Kosovë, por zyrtarët e qeverisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, është thënë të jetë 20 mijë viktima.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Amnesty International” në një nga raportet e viteve të fundit pati thënë se për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk është vënë drejtësi. Sipas kësaj organizate, të mbijetuarit “e dhunës së tmerrshme seksuale, tash e disa vite kanë qenë të tradhtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e ndryshme”.

Për dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë, i cili po zhvillohet që nga viti 2011 dhe ku palët tashmë synojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, është thënë disa herë se qëllimi i tij është marrëveshja e cila “do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes palëve”.

Megjithatë, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka thënë se çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës dhe ajo e personave të pagjetur, vazhdon të mos e kenë seriozitetin dhe trajtimin e duhur përgjatë tërë procesit të dialogut.

“Dhuna seksuale nuk është përmendur as edhe një herë të vetme në dialogun me Serbinë, çka ne mendojmë se është një mangësi e madhe, sidomos në raport me drejtësinë, për faktin që edhe sot e tutje as edhe një person i vetëm që ka kryer krime nuk e ka marrë ndëshkimin e merituar. Me të drejtë, të mbijetuarit e dhunës seksuale ende kanë frikë të dalin lirshëm sepse mendoj se dhunuesit mund të ndodhen diku, pasi nuk kanë marrë dënim”, ka thënë Rushiti.

Që nga përfundimi i luftës, organizata të cilën e udhëheqë Rushiti, zhvillon aktivitete në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Siç ka thënë Rushiti “është koha dhe momenti kur po flasim për marrëveshje paqeje në raport me Serbinë, që Kosova të radhitë dëmet e luftës varësisht prej kategorive që janë shkaktuar edhe të adresohen ato siç do të duhej në proces”.

Ajo gjithashtu ka thënë se pa prezencën e zërit gruas në procesin e dialogut, çështjet gjinore nuk mund të adresohen ashtu siç e meritojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria arrin të shënon edhe golin e tretë në duelin…