Zëvendësministri Zeka: Jam i bindur se vizat liberalizohen në fund të vitit

19 prill 2018 | 07:42

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, është shprehur optimist se vizat liberalizohen deri në fund të këtij viti.

Zeka në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, është i mendimit se procesi i integrimeve do duhej të ishte më i shpejt, por thotë se një shtet i ri si Kosova
me sfidat që ka kaluar do të justifikonte ritmin e ngadaltë të ecjes në këto integrime.

Ai ka thënë se objektiv i të gjitha subjekteve politike që veprojnë në Kosovë, pa dallim nacionaliteti dhe spektri politik duhet të jetë agjenda shtetërore që nënkupton ecje në zënien e hapave integrues.

“Integrimi i Kosovës do të duhej të ishte një konsensus parimor i të gjitha subjekteve politike, andaj edhe partitë opozitare duhet të jenë të gatshme për të pranuar konsensusin politik që kërkon Brukseli”, ka thënë Zeka, duke theksuar se Evropa dhe institucionet e saja kanë një pozitivitet më të madh për Kosovën se sa vetë kosovarët.

“Epoka e re”: Z. Zeka si e shihni procesin e integrimit të Kosovës tash pas Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian?

Zeka: Rrugëtimi evropian i shtetit të Kosovës po vazhdon. Kjo është me rendësi. Se a do të duhej që procesi integrimeve të jetë më i shpejtë, natyrisht se po, por edhe skeptikët më të mëdhenj e dinë se një shtet i ri si Kosova, me sfidat që ka kaluar do të justifikonte ritmin e ngadaltë të ecjes në këto integrime. Në këtë rrugëtim, në këtë ritëm, në këto pritje dhe në këto zhargitje një gjë duket sheshazi se Evropa dhe institucionet e saja kanë një pozitivitet më të madh për Kosovën se sa vetë kosovarët.

“Epoka e re”: Në këtë rrugëtim ka konsensus të brendshëm të spektrit politik?

Zeka: Në bazë të deklarimeve që po shohim shihet se ka interesim për konsensus në procesin e integrimeve evropiane. Pra, objektiv i të gjitha subjekteve politike që veprojnë në Kosovë, pa dallim nacionaliteti dhe spektri politik duhet të jetë agjenda shtetërore që nënkupton ecje në zënien e hapave integrues. Në këtë drejtim të merret shembull konsensusi ashtu si u arrit për demarkacionin me Malin e Zi. Pra, është koha për të kryer detyrat e shtëpisë, për të bërë punën tonë, për të emancipuar lidershipin politik se kemi për të bërë detyrat tona, e Evropa është aty, na pret që të plotësojmë standardet që paracaktojnë dhe ulëset në Unionin Evropian. E tha me plotë përkushtim dhe sinqeritet edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i largohen perspektivës së BE-së, ngase në të kundërtën sipas tij “paraqitej rreziku i kthimit në vitet ’90…”.

“Epoka e re”: Megjithatë ka vërejtje nga subjekte politike në opozitë për mënyrën e ecjes së shtetit në procesin integrues, sepse nuk po luftohet sa duhet korrupsioni. Do duhej që edhe pozita t’i merr si qëllimmira vërejtjet e opozitës?

Zeka: Të gjithë ata që janë futur në vorbullën e dyshimeve dhe skepticizmit, të mospranimit të vlerave perëndimore me apo pa vetëdije janë pjesë e përjashtimit të kësaj pjese të Evropës që të mbetet vrimë e zezë dhe arenë për të ndërruar kursin për “Integrime” lindore. Spektri politik në Kosovë duhet të jetë më i përkushtuar në pranimin e sfidave që i dalin vendit për integrime evropiane. Sundimi i ligjit dhe lufta e korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm për integrimet, por është edhe rruga e një mirëqenie më të mirë në vend për ne dhe gjeneratat që do të vijnë. Partive në pushtet u duhet të rishqyrtojnë përkushtimin për detyrat qeverisëse. Nuk duhet të ketë gjumë dhe avashllëk, ngase procesi integrimeve është barometër i punës ose mospunës së tyre. Partitë opozitare në konceptin e tyre të ngritjes së kauzave nuk duhet të jenë pengesë e proceseve dhe punëve që kërkohen nga BE-ja për Kosovën. Integrimi i Kosovës do të duhej të ishte një konsensus parimor i të gjitha subjekteve politike, andaj edhe partitë opozitare duhet të jenë të gatshme për të pranuar konsensusin politik që kërkon Brukseli. Le të vazhdoje “lufta” politike përbrenda por integrimet nuk duhet të shikohen si çështje e participuar partish. Po ashtu, edhe mediat dhe shoqëria civile ndonëse janë kujdestare të demokracisë, në këtë fazë do të duhej të mos shikonin krejt zi e terr, ngase procesi integrimeve që nuk po ecën ashtu si ne duam shpejt, mbase të gjithë jemi fajtori për këtë ngecje Ne të gjithë, sot, duhet të punojmë shumë për Integrimin e Kosovës në BE.

“Epoka e re”: A do të ketë liberalizim të vizave këtë vit?
Zeka: Unë jam i bindur se nga fundi i këtij viti do të ndodhë procesi i liberalizimit të vizave. Lëvizja e lirë e të rinjve tanë nëpër botë do të jetë edhe një pasqyrë më shumë për të reflektuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roma ka arkëtuar pikët e plota në përballjen e sotme…