Zgjedhjet e 6 tetorit, të paparashikueshme

06 tetor 13:53

Menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës dhe njohësi i proceseve zgjedhore dhe politike, Artan Murati, ka thënë se në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit ka pasur garë më të gjerë mes kandidatëve për kryeministër dhe partitë politike janë treguar më të disiplinuara për respektimin e Kodit të Mirësjelljes.

“Sa iu përket programeve, pothuajse të gjitha subjektet kanë prekur çështjet kryesore të cilat shqetësojnë qytetarët dhe ndërlidhen me zhvillimet e përgjithshme politike e sociale në vend”, ka deklaruar Murati në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit do të jetë të paparashikueshme dhe shumë të ngushta mes subjekteve kryesore politike.

Sipas Muratit, këto zgjedhje duhet të prodhojnë institucione kredibile dhe të afta për të punuar për të mirën e qytetarëve.

 “Numri i lartë i papunësisë, zhvillimi ekonomik, sundimi i rendit dhe ligjit, funksionalizimi i arsimit dhe shëndetësisë janë vetëm disa prej çështjeve urgjente që duhet të trajtohen denjësisht nga institucionet që dalin pas zgjedhjeve të 6 tetorit, andaj rrjedhimisht qytetarët duhet të dalin sa më masivisht në zgjedhje për t’u bërë hisedarë në vendimmarrje e në të ardhmen e vendit”, është shprehur ai, duke shtuar se legjislatura e shtatë nuk duhet t’i ngjajë asaj paraprakes.

“Legjislatura e gjashtë ishte ndër më joefikaset në histori të Kuvendit, andaj nuk duhet të merret si shembull se si do të duhej të funksiononte një legjislaturë. Pres që deputetët që do ta marrin mandatin për legjislaturën e shtatë të punojnë me zell, ta marrin seriozisht rolin e tyre dhe ta vlerësojnë peshën e votës që do ta marrin nga qytetarët e vendit”, ka theksuar Murati.

Ai ka thënë se procesi i dialogut do të jetë një nga çështjet më urgjente me të cilat do të përballet qeveria e re. “Procesi i dialogut do të jetë një nga çështjet më urgjente me të cilat do të përballet qeveria e re. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tanimë është e qartë se kushdo që do të udhëheqë qeverinë do të merret me dialogun me Serbinë”, ka deklaruar Murati.

 “Epoka e re”: Z. Murati, si e vlerësoni fushatën zgjedhore të subjekteve politike dhe kandidatëve për kryeministër?
Murati: Sipas informatave të pranuara nga 72 vëzhguesit tanë në terren, tubimi publik ka qenë forma më e shpeshtë e organizimit që ka dominuar në aktivitetet partiake parazgjedhore. Relativisht i lartë ka qenë numri i ngjarjeve që nuk janë paralajmëruar në KKZ brenda afateve kohore. Moslajmërimi me kohë i ngjarjeve zgjedhore nga subjektet politike e pamundëson informimin e drejtë dhe me kohë të publikut mbi programet e subjekteve politike në garë. Gjuha e përdorur nga kandidatët në fushatë në përgjithësi ishte konform frymës së një fushate të lirë dhe konkurruese. Por, nuk kanë munguar ngjarjet kur kandidatët e subjekteve politike kanë drejtuar mesazhe fyese për kundërshtarët e tyre mbi baza partiake. Edhe këtë vit pjesëmarrja e përgjithshme e grave në tubime elektorale nuk ka kaluar më shumë se 25 për qind të numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve, kurse subjektet politike në përgjithësi kanë pasur tendenca të përdorimit të resurseve publike, sidomos veturave zyrtare dhe shërbyesve civilë. Në raport me shkeljet e rregullave të fushatës, DnV-ja ka dorëzuar gjithsej 15 ankesa në PZAP, 10 prej të cilave janë miratuar (vlera e gjobave, 49 550 euro), 1 është refuzuar dhe 4 janë në pritje për shqyrtim. Në përgjithësi kandidatët për kryeministër kanë pasur mundësi të mjaftueshme për t’i shpalosur programet elektorale sepse fushata parazgjedhore veçse ka filluar që nga koha kur ish-kryeministri Haradinaj dha dorëheqje.

“Epoka e re”: Në këtë fushatë, për dallim nga të kaluarat, a ka ndonjë avancim në prezantimin e programeve, në garën ndërmjet pretendentëve kryesorë të garës?
Murati: Kësaj radhe ka pasur garë më të gjerë mes kandidatëve të subjekteve politike meqë këtë post e pretendojnë së paku katër figura politike me ambicie të mëdha për detyrën e kryeministrit. Subjektet politike janë shfaqur disi më të disiplinuara për respektimin e kodit të mirësjelljes, sidomos përdorimin e posterëve dhe materialeve propaganduese. Fushata ka qenë më shumë e fokusuar në diskutim me qytetarët si dhe fushatë e realizuar përmes rrjeteve sociale. Besoj se ka qenë e pashmangshme nga të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale shikimi i postimeve të shumta të sponsorizuara nga subjektet, por edhe kandidatët individualisht. Sa iu përket programeve, pothuajse të gjitha subjektet kanë prekur çështjet kryesore të cilat i shqetësojnë qytetarët dhe ndërlidhen me zhvillimet e përgjithshme politike dhe sociale në vend. Pra, do të ishte e vështirë të veçohej ndonjë subjekt nga tjetri sa i përket agjendës së çështjeve që kanë dominuar diskursin politik përgjatë fushatës.

“Epoka e re”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 6 tetorit?
Murati: Nëse për asgjë tjetër, këto zgjedhje mund të mbahen në mend si zgjedhje të paparashikueshme dhe shumë të ngushta mes subjekteve kryesore politike. Zgjedhjet e 6 tetorit duhet të prodhojnë institucione kredibile e të afta për të punuar për të mirën e qytetarëve të vendit. Republika e Kosovës gjendet në udhëkryq në aspekt të politikës së jashtme e, po ashtu, me sfida të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve të vendit. Numri i lartë i papunësisë, zhvillimi ekonomik, sundimi i rendit dhe i ligjit, funksionalizimi i arsimit dhe i shëndetësisë janë vetëm disa prej çështjeve urgjente që duhet të trajtohen denjësisht nga institucionet që dalin pas zgjedhjeve të 6 tetorit, andaj rrjedhimisht qytetarët duhet të dalin sa më masivisht në zgjedhje për t’u bërë hisedarë në vendimmarrje e në të ardhmen e vendit.

“Epoka e re”: Meqenëse ju monitoroni punën e Kuvendit, si do të jetë legjislatura e shtatë?
Murati: Shpresoj se legjislatura e shtatë mos t’i ngjajë asaj paraprakes. Legjislatura e gjashtë ishte ndër më joefikaset në histori të Kuvendit, andaj nuk duhet të merret si shembull se si do të duhej të funksiononte një legjislaturë. Pres që deputetët që do ta marrin mandatin për legjislaturën e shtatë të punojnë me zell, ta marrin seriozisht rolin e tyre dhe ta vlerësojnë peshën e votës që do ta marrin nga qytetarët e vendit. Kosovën e presin procese të rëndësishme andaj deputetët duhet të jenë vigjilentë dhe shumë të përgjegjshëm në punën të cilën do ta kryejnë.

“Epoka e re”: Si e shihni ecurinë e procesit të dialogut, të agjendës evropiane etj?
Murati: Procesi i dialogut do të jetë një nga çështjet më urgjente me të cilat do të përballet qeveria e re. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tanimë është e qartë se kushdo që do ta udhëheqë qeverinë do të merret me dialogun me Serbinë. Po ashtu, në raport me BE-në, qeveria e re do të ketë punë të dyfishtë pasi, përveç fillimit të punës me institucionet e sapokrijuara në BE pas zgjedhjeve të qershorit, në të njëjtën kohë duhet të punojë edhe në proceset që tanimë kanë filluar e që kërkojnë zgjidhje. Lobimi për liberalizimin e vizave për qytetarët do të jetë prioritet i qeverisë në ardhje, e bashkë me vizat qeveria do të duhej që me ngulm t’i shtyjë përpara proceset integruese të Republikës së Kosovës për në BE, duke garantuar edhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe Agjendën për Reforma Evropiane.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marc Marquez është kampioni i botës për vitin 2019, pasi…