Zgjedhjet e reja nuk zgjidhin asnjë problem

11 korrik 15:52

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka bërë thirrje që ideja për themelimin e tribunalit për krime serbe në Kosovë të shkojë deri në fund.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo ishte një nismë e mirë, edhe pse e vonuar.

“Sikurse edhe temat e tjera, edhe kjo u përdor shumë për agjenda partiake, por nuk është se mungonte një disponim i gjerë që kjo duhet të bëhet. Pavarësisht të metave në proces, vonesës së madhe dhe paqartësive, do të ishte mirë ta çonim përpara këtë ide. Edhe pse personalisht nuk mendoj se nisma për një tribunal të tillë do të ndikonte edhe aq shumë në disa rrjedha për të cilat edhe vetë ne kontribuuam si për Gjykatën Speciale ashtu edhe për mënyrën si po trajtohet krejt dialogu për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Mund të themi tashmë se jemi në njëfarë kurthi që, pak a shumë, e kemi ngritur vetë”, ka deklaruar Pajaziti.

Ai ka thënë se përveç kësaj dialogu është tema më serioze me të cilën duhet të merremi dhe, sipas Pajazitit, çdo tentim i shmangies nga kjo temë do ta dobësojë pozicionin tonë.

“Para nesh është edhe një sfidë, ndër më të vështirat që nga paslufta, e në anën tjetër edhe një shans historik për ta përmbyllur këtë kapitull aq të errët. Një shans sepse kemi edhe një gatishmëri të partnerëve tanë, sidomos të ShBA-së dhe BE-së, që të kyçen në këtë proces më seriozisht”, është shprehur Pajaziti. Ai ka vlerësuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk do t’i kontribuonte përmirësimit të gjendjes në vend. Përkundrazi, Pajaziti ka thënë se zgjedhjet nuk mund ta zgjidhin asnjë prej problemeve me të cilat po përballet Kosova. “Zgjedhjet s’besoj se do ta zgjidhnin asnjë prej këtyre problemeve me të cilat po përballet aktualisht vendi ynë siç janë: dialogu, vizat apo edhe sfidat e tjera që po lidhen me gjykimin e të kaluarës sonë. Po ashtu, s’besoj se do t’i zgjidhnin as vështirësitë partiake që i kanë ata që po i përmendin përditë zgjedhjet”, ka theksuar ai.

“Epoka e re”: Z. Pajaziti, çfarë është duke ndodhur me iniciativën për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë? Kur do të vijë në Kuvend?
Pajaziti: Ishte një nismë e vonuar, por e mirë. Shpresoj të shkojë deri në fund. Sikur edhe temat e tjera, edhe kjo u përdor shumë për agjenda partiake, por nuk është se mungonte një disponim i gjerë që kjo duhet të bëhet. Pavarësisht të metave në proces, vonesës së madhe dhe paqartësive, do të ishte mirë ta çonim përpara këtë ide. Edhe pse personalisht nuk mendoj se nisma për një tribunal të tillë do të ndikonte edhe aq shumë në disa rrjedha për të cilat edhe vetë ne kontribuuam si për Gjykatën Speciale ashtu edhe për mënyrën si po trajtohet krejt dialogu për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë mund të themi tashmë se jemi në njëfarë kurthi që, pak a shumë, e kemi ngritur vetë.

“Epoka e re”: Së shpejti Kuvendi pritet të shkojë në pushim. Si e vlerësoni këtë periudhë të funksionimit të këtij institucioni dhe a prisni në shtator dinamikë të re?
Pajaziti: Kishte vështirësi, por edhe punë, ani pse me shumë zhurmë. Kishte vështirësi në aprovimin e disa ligjeve dhe rezolutave, por kishte, si kurrë më parë, debate të ngritura dhe pyetje për qeveritarët. Nëse agjenda e mbetur nuk arrihet të realizohet tash, me siguri në vjeshtë do të ketë shumë më shumë punë.

“Epoka e re”: Legjislativi deri më tani është karakterizuar me mungesë të kuorumit, me ç’rast ka dështuar mbajtja e shumë seancave dhe miratimi i ligjeve dhe rezolutave. Duke pasur parasysh këtë fakt, edhe sa mund të funksionojë kështu koalicioni qeverisës në Kuvend?
Pajaziti: Mungesa e kuorumit ishte më shumë edhe si mjet i opozitës për ta nxjerrë koalicionin qeverisës si jofunksional. Pra, numrat përdoreshin më shumë kur kishte ndonjë mungesë të deputetëve të mazhorancës si mjet për ta krahasuar fuqinë. Por, në anën tjetër, nuk kishte numra të mjaftueshëm për ndonjë agjendë tjetër të opozitës. Ka pasur situata të tilla edhe më përpara në legjislaturat e mëhershme. Kjo nuk do të përbënte ndonjë problem për funksionim të Kuvendit, aq më tepër të ekzekutivit. Por, nëse çështjet e tjera që janë vitale, siç është puna e buxhetit apo e temave me interes për vendin si ajo e integrimeve apo çështjet që lidhen edhe me nisma dhe përkrahje të partnerëve tanë strategjikë nuk ecin përpara, kjo do ta bllokonte ecjen përpara të kësaj legjislature.

“Epoka e re”: Në fakt, opozita ka paralajmëruar ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Ndihet e rrezikuar pozita nga një mocion i tillë?
Pajaziti: Për shëndetin e demokracisë dhe për të mirën e vendit gjithmonë pushteti do të duhej të ndihej i ‘rrezikuar’ nga nismat e opozitës për votëbesim apo rrëzim. Në rastin tonë nuk është as njëra e as tjetra. Edhe qeveria here pas here po sillet tepër komode, nganjëherë edhe me fodullëk. Në anën tjetër, opozita krejt joserioze dhe me dallime të mëdha deklarohet dhe sillet në jetën politike. Kurdo që numrat në Kuvend ndryshojnë do të ndryshojë edhe skena politike dhe rrjedhat në vend.

“Epoka e re”: A do të ketë apo jo zgjedhje këtë vit?
Pajaziti: Nuk mund ta di. Kjo pyetje më shumë mund të ishte për ata që kanë ide të tilla dhe nisma të tilla. Zgjedhjet nuk besoj se do të zgjidhnin asnjërin prej këtyre problemeve me të cilat po përballet aktualisht vendi ynë siç janë: dialogu, vizat apo edhe sfidat e tjera që po lidhen me gjykimin e të kaluarës sonë. Po ashtu, s’besoj se do t’i zgjidhnin as vështirësitë partiake që i kanë ata që po i përmendin përditë zgjedhjet.

“Epoka e re”: Me apo pa zgjedhje, si e shihni ecurinë e dialogut me Serbinë dhe agjendën evropiane?
Pajaziti: Kjo mendoj është tema më serioze me të cilën duhet të merremi. Çdo tentim i shmangies nga kjo temë qoftë me zgjedhje qoftë duke u marrë me tema të tjera veçse do ta dobësojë pozicionin tonë. Para nesh është edhe një sfidë, ndër më të vështirat që nga paslufta, në anën tjetër edhe një shans historik për ta përmbyllur këtë kapitull aq të errët. Një shans sepse kemi edhe një gatishmëri të partnerëve tanë, sidomos të ShBA-së dhe të BE-së që të kyçen në këtë proces më seriozisht. Në fazat e mëhershme kishim një përvojë më të mirë për sa i përket dialogut. Pavarësisht prej kundërshtive, kemi pasur një lloj konsensusi. Kjo që pamë në dy vjetët e fundit, e sidomos këtë vit, duke zhvendosur këtë temë në një debat të brendshëm, në mënyrën më të padobishme për ne, ndërkohë që ende s’kishim një platformë dhe as një ide se si, kur dhe çka do të shtrohej në tryezën e bisedimeve. Kjo ishte dhe është një sinjal i keq për ne. Pra, ka një mungesë të theksuar të koordinimit dhe një shfrytëzim të kësaj teme për agjenda të vogla politike, duke e dëmtuar interesin e Kosovës. Akuzat e ndërsjella e kanë humbur edhe besimin në lidership, por edhe seriozitetin që të fokusohemi në gjithçka që është me interes për vendin, për gjithë shqiptarët që vuajtën dhe po vuajnë ende nën regjimin serb e, po ashtu, edhe për të gjithë qytetarët pa dallim. Shpresoj në një këndellje të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi dhe atyre që po kërkojnë më shumë përgjegjësi. Kemi qenë të bekuar nga Zoti për krejt si kemi ardhur deri këtu. Besoj shumë që nuk do të bëjmë ndonjë gabim që do ta rrezikonte këtë bekim dhe këtë fitore të jashtëzakonshme.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur sot…